Teori tjetër për zhdukjen e avionit të “Malaysia Airlines”

Avioni i zhdukur malajzian mund të jetë përdorur për një sulm terrorist drejt një baze ushtarake amerikane në territorin britanik. Lajmi botohet në faqen e parë të prestigjiozes britanike “Daily Star”, duke i dhënë zë një teorie që nuk ishte marrë parasysh më parë. Ndërsa mbetet ende mister fati i avionit të zhdukur të kompanisë ajrore malajziane, shtohen edhe pistat e ndryshme të hetimit.
Sipas britanikes “Daily Star”, mendohet se avioni i zhdukur malajzian mund të jetë rrëmbyer për një sulm terrorist pikërisht në territorin britanik. Frika se ‘Boeing 777′ fluturoi drejt një baze ajrore të fshehtë amerikane, që është dhënë me qira nga Britania e Madhe në ishullin Diego Garsia në Oqeanin Indian, është publikuar në faqen e parë të “Daily Star”. Sipas medias prestigjiozes britanike, rrëmbyesit mund të kenë planifikuar përplasjen e avionit me 239 pasagjerët në bord në një sulm të ngjashëm me atë të 11 shtatorit. Ky informacion bazohet dhe në faktin se një satelit ka gjetur disa mbetje pluskuese në ujë 1500 milje në jugperëndim të Australisë. Shefi i autoritetit të sigurisë detare të Australisë, Xhon Jang, u shpreh se vazhdojnë ende kërkimet për të verifikuar nëse kjo teori mund të qëndrojë. “Daily Star” publikon edhe një tjetër teori, sipas së cilës në bord është ngarkuar 200 kg bateri nga një kompani private dhe një ngarkesë mbi 4500 ton fruta ekzotike por dyshohet se në të vërtet këto pako përmbanin litium. Tashmë dyshimet bien edhe mbi pikat kontrollore në aeroportin e Kuala Lampurit, se përse nuk e ka deklaruar këtë fakt. Kjo gjë nuk është mohuar as nga prokurori i cështjes, i cili ka deklaruar se nuk mund të zbulojë asgjë përsa kohë që hetimet vazhdojnë. Teori nga më të ndryshmet kanë qarkulluar që më datë 8 mars, kur avioni i fluturimit MH 370 u zhduk nga radarët, pak pasi është ngritur nga aeroporti i Kuala Lampurit ndërsa kërkimet vijojnë në jug të Oqeanit Indian. Teoria më e fundit, që nuk mohohet as nga hetuesit malajzian, është se bateritë në bord mund të kenë shkaktuar zjarr, gjë që më pas ka shkaktuar edhe shpërthimin e avionit në mes të qiellit. Gjithsesi fati i këtij avioni mbetet një super mister.

Share Button