Temperaturat rekord, dy viktima nga i nxehti në Europë

Pjesë të Europës po përjetojnë valën më ekstreme të të nxehtit në më shumë se një dekadë, ndërsa temperaturat kanë shkuar në 44 gradë Celsius.

Temperaturat përvëluese në Itali kanë shkaktuar vatra të shumta zjarri dhe dhjetëra qytete e fshatra janë në gatishmëri maksimale. Vala e të nxehtit ka bërë që disa rajone në vend të përballen edhe me thatësira të mëdha.

Italia, po përjeton aktualisht temperatura 10 gradë Celsius më të larta nga mesatarja e kësaj periudhe të vitit dhe njerëzve u është kërkuar nga autoritetet të qëndrojnë në shtëpi dhe të pijnë shumë ujë.

Paralajmërimet për rrezikun që i nxehti paraqet për shëndetin janë në fuqi, në ato pjesë të Europës ku temperaturat kanë arritur nivele potencialisht të rrezikshme dhe Italia e Ballkani janë prekur më rëndë, me zonat që shtrihen deri në Poloni në veri, që janë ekspozuar ndaj temperaturave si jo zakonisht të larta.

Dy viktima numërohen aktualisht, një në Rumani dhe një në Poloni, e dhjetëra të tjerë janë dërguar në spital me probleme të shkaktuara nga moti ekstrem.

Zjarrfikësit në Serbi, Bosnje, Maqedoni dhe Kroaci janë ekstremisht të zënë, ndërkohë që BBC ndalet edhe te lufta me flakët në Shqipëri. Temperaturat e larta pritet të vazhdojnë në pjesë të Europës Qendrore dhe Ballkan edhe në ditët e ardhshme, ndërkohë që ekspertët thonë se vala e të nxehtit do të zgjasë të paktën deri të hënën.

Share Button