Taksi ngjyrë rozë vetëm për femrat në Pakistan

Ka nisur në Pakistan, funksionimi i taksive ngjyrë rozë. Ata do të kenë shofere femra dhe do të përdoren vetëm nga kliente femra, raporton Anadolu Agency (AA).

Përdorimi i taksive ka nisur në qytetin Karaçi, qytet ky që është më i populluari në Pakistanin me rreth 20 milionë banorë. Ndërsa përmes tij synohet të ulet numri i ngacmimeve dhe sulmeve ndaj grave.

Automjetet me ngjyrë rozë, mund të dallohen shpejt në trafik. Gratë në Karaçi do të kenë mundësi që përmes një aplikacioni, duke e ndaluar në rrugë, ose përmes një mesazhi të mund të gjejnë një taksi rozë.

Në mesin e shofereve me xhaketë të zezë dhe shami të kuqe ka gra me profesione të ndryshme, si shtëpiake, vajza të reja, apo edhe nxënëse.

Në një deklaratë për gazetarin e AA, drejtuesja e taksisë rozë, Ajshe Siddik, thotë se kjo gjë ka zgjidhur një problem shumë të madh në Karaçi, pasi gratë mendojnë dy herë kur marrin një taksi të drejtuar nga meshkujt.

Kur shohin taksitë ngjyrë rozë më parë çuditen, thotë Siddik dhe më pas shton: “Përdorimi i taksive nga gratë nuk është një gjë normale në Pakistan. Kohët e fundit rastiset shpesh me abuzime, sulme apo ngacmime të femrave. Shpresoj që në saje të këtij aplikimi ngjarjet e dhunshme të ulen sadopak.”

Ndërsa ministri i Transportit për rajonin Sind, Syed Nasir Shah, thotë në lidhje me këtë projekt të ri se shpesh herë gratë janë në qendër të ngacmimeve dhe sulmeve në mjetet e transportit publik. “Ky aplikim i ri përmes të cilit do të udhëtojnë vetëm femrat, do të zgjidhë këtë problem”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të grave në vend, kanë thënë se ky lloj transporti është i shtrenjtë dhe nuk do të mund të përdoret nga të gjitha gratë në vend. Ata kanë sjellë shqetësimet se ky aplikim do të jetë në përdorim nga një masë e ngushtë e shoqërisë. Ndërsa kanë kërkuar më shumë punë për të mbrojtur gratë në ambientet publike.

Share Button