Takimi Yıldırım-Pence, Turqia përsërit kërkesën për ekstradimin e Gylenit

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, në takimin me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mike Pence, ka përsëritur kërkesën për arrestimin dhe ekstradimin e kreut të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gylen, dhe përfundimin e aktiviteteve të kësaj organizate, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Yıldırım u takua në Shtëpinë e Bardhë me Mike Pence, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Energjisë Berat Albayrak, Ambasadori i Turqisë në SHBA Serdar Kılıç dhe Zëvendëskryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Mehmet Muş.

Sipas të dhënave të siguruara nga burime të kryeministrisë, në takimin Yıldırım-Pence, krahas marrëdhënieve mes dy vendeve, është diskutuar edhe në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe çështjet rajonale.

Pala turke ka shprehur shqetësimet e saj për mbështetjen me armë të organizatës terroriste YPG nga SHBA-të dhe ka shpalosur pritjet e saj për ndërprerjen e kësaj mbështetjeje.

Gjatë takimit, palët po ashtu kanë theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të thella si aleatë dhe partnerë strategjik, duke uruar hapjen e një faqeje të re të dialogut konstruktiv mes Turqisë dhe SHBA-ve.

Duke folur para gazetarëve lidhur me takimin teksa po udhëtonte për në New York, kryeministri turk Yıldırım tha se palës amerikane i ka përcjellur pritjet për më shumë mbështetje nga SHBA-të lidhur me organizatën terroriste PKK.

“Theksova se presim më shumë mbështetje nga SHBA-të lidhur me PKK-në. Ne folëm për YPG-në në mënyrë shumë të hapur. Ne u thamë ta prishin këtë aleancë sepse DEASH-i tanimë nuk është, sepse kjo gjë na ka shqetësuar dhe se këto armë po kalojnë në duart e PKK-së”, theksoi Yıldırım.

Turqia prej një kohe të gjatë ka shprehur shqetësime tek pala amerikane, e cila ka mbështetur me armë YPG-në, krahun e organizatës terroriste PKK në Siri, duke theksuar se ajo e ndihmon atë vetëm derisa të mposhtet organizata terroriste DEASH. Turqia vazhdimisht ka theksuar se armët e ofruara për YPG-në mund të përdoren kundër Turqisë.

Në ndërkohë, në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë lidhur me takimin Yıldırım-Pence, thuhet se ky takim do të ndihmojë në hapjen e një faqeje të re në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sipas njoftimit, Yıldırım dhe Pence kanë rënë dakord për nevojën e një dialogu konstruktiv si miq dhe aleatë për zgjidhjen e problemeve dypalëshe.

Palët po ashtu kanë qenë të një mendimi se stabiliteti dhe siguria në Lindjen e Mesme është në dobi të Turqisë dhe SHBA-ve, duke u dakorduar për rritjen e këshillimit ndërqeveritar lidhur me këtë çështje.

Zv/presidenti amerikan ka falënderuar kryeministrin Yıldırım për kontributin e Turqisë në sigurinë globale dhe mposhtjen e organizatës terroriste DEASH.

Pence i ka përcjellë palës turke se SHBA-të janë në anën e Turqisë edhe në luftën kundër PKK-së dhe organizatave të tjera terroriste.

Share Button