Takimi Rouhani-Erdogan

Presidenti iranian, Hassan Rouhani vizitoi Turqinë në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy shteteve të cilat janë dëmtuar së fundmi për shkak të krizës në Siri. Ai u mirëprit nga kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan në vizitën që e bën atë liderin e parë iranian që viziton Turqinë në 18 vitet e fundit. Bisedimet për çështje të marrëdhënieve dypalëshe janë në fokus të takimeve të presidentit iranian. Por, më së shumti, qëllimi është ai i përafrimit të dy shteteve, të cilat kanë marrë anë të ndryshme në konfliktin sirian. Teherani është një aleat i presidentit Bashar al Assad ndërsa Ankaraja mbështet kryengritësit që luftojnë kundër regjimit të tij. Gjatë fjalimit të mirëseardhjes, kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan theksoi se marrëdhëniet mes dy shteteve ka gjasa të përmirësohen, nëse palët tregohen të sinqerta. “Irani ka vullnetin të tejkalojë ndasitë dhe e ka shumë të rëndësishme që të gjejë një qasje reciproke në këtë synim”, tha Rouhani, sipas të cilit këto dy vite do të jenë shumë të ndryshme nëse palët angazhohen në proces. Dy shtetet fqinje po kërkojnë gjithashtu të fuqizojnë marrëveshjet tregtare të cilat mund të krijojnë një zonë bashkëpunimi rreth kufizimeve të Kombeve të Bashkuara për programin bërthamor të Iranit. “Ne dëshirojmë një Lindje të Mesme e cila të çlirohet jo vetëm nga armët bërthamore, por nga të gjitha armët e shkatërrimit në masë. Synimi ynë është ai që të gjitha kombeve iu duhet dhënë e drejta të përdorin energjinë bërthamore për qëllime paqësore”, deklaroi Rouhani. Vizita e presidentit iranian në Turqi vjen në një kohë që Teherani zhvillon një raund bisedimesh në Gjenevë me Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarë europianë për programin e vet kundërthënës atomik. Raundi i fundit i bisedimeve nuk prodhoi marrëveshje e palët akuzuan njëra-tjetrën për kërkesa jo realiste.

Share Button