Takimi Obama-Poroshenko

Takimi i Barak Obamës me presidentin e zgjedhur të Ukrainës, Petro Poroshenko, me shumë gjasë do të mbizotërohet nga ekonomia, edhe pse në thelb është përshkruar si demonstrim i mbështetjes amerikane për Kievin dhe forcat e tij të përfshira në luftime me separatistët pro-rusë të rajoneve lindore. Shefi i Shtëpisë së Bardhë do t’i ofrojë mbështetjen e Amerikës lidershipit të ri të vendit që po përpiqet të zgjidhë ngërçin e faturës së lartë të gazit me gjigandin rus Gazprom dhe kërcënimet e tij me ndërprerjen e furnizimit. Ekonomia e çalë e Ukrainës është në recesion që prej 2002-shit. Aktualisht, Obama është në Poloni për kremtimet e 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit në këtë vend, ndalesë kjo aspak e rastësishme. Vizita e presidentit amerikan në Varshavë është e mbushur me simbolizëm. Në fjalimin që përgatitet të mbajë, Obama pritet të thotë se një çerek shekulli më parë ky vend u gjend përballë problemesh të ngjashme me ato që mundojnë Kievin sot, por arriti t’i kapërcente. Mesazhi është i qartë: me ndihmën e Perëndimit, Ukraina gjithashtu do të arrijë t’ia dalë mbanë. Domethënie akoma më të madhe merr kjo ndalesë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në muajin mars, një lëvizje që i çoi marrëdhëniet lindje-perëndim në nivelin e tyre më të ulët që prej Luftës së Ftohtë. Obama kërkon t’i garantojë edhe një herë aleatëve në lindje se Uashingtoni do t’i mbështesë në rastin e çdo “provokimi” të mundshëm të Rusisë dhe të martën u zotua për krijimin e një fondi 1 miliardë dollarësh, i cili do të përdoret për shtimin e dislokimeve ushtarake në Europë si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Moskës në Ukrainë.

Share Button