Takimi në Astana, arrihet marrëveshje për zonën jokonfliktuale në Idlib

Palët në takimin e gjashtë të bisedimeve për Sirinë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, kanë arritur marrëveshje lidhur me “zonën jokonfliktuale” që do të formohet në prefekturën e Idlibit në Siri pranë kufirit me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të siguruara nga burime që kanë marrë pjesë në mbledhje, delegacionet e shteteve garantuese, Turqisë, Rusisë dhe Iranit, kanë përcaktuar kufinjtë e zonës së katërt jokonfliktuale që do të formohet në Idlib, pas bisedimeve që janë realizuar dje dhe sot.

Burimet po ashtu njoftuan se do të vazhdojnë bisedimet lidhur me atë se cilat forca do të pozicionohen në rajonin e Idlibit.
Pritet që për një kohë të shkurt pas marrëveshjes kjo marrëveshje të shpallet edhe përmes deklaratës.

Ndryshe, në takimin e katërt në Astana të mbajtur më 3 dhe 4 maj të këtij viti, Turqia, Rusia dhe Irani morën vendimin për krijimin e “zonave jonkonfliktuale” në rajonet ku luftimet mes forcave të regjimit dhe opozitarëve ishin më intensive.
Ndërkaq, në serinë e pestë të takimeve të Astanas më 4 dhe 5 korrik, shtetet garantuese vendosën që të formonin Grupin e Përbashkët të Punës për të vazhduar bisedimet rreth detajeve të zonave jokonfliktuale.

Gjatë takimit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Rusia kishin arritur marrëveshje të veçantë për të krijuar një zonë të veçantë të dominuar nga SHBA-të në zonën konfliktuale e cila përfshin qytetet Dera dhe Kunejtra.
Policia ushtarake ruse ishte vendosur në rajon për të monitoruar armëpushimin që hyri në fuqi më 9 korrik.

Ministria e Jashtme e Rusisë kishte njoftuar se është arritur marrëveshje armëpushimi më 22 korrik, në rajonin e Gutës Lindore në lindje të Damaskut, të rrethuar nga regjimi.
Rusia më 3 gusht njoftoi për arritjen e armëpushimit edhe në Humus, megjithatë më vonë u zbulua se marrëveshja ishte nënshkruar vetëm nga një grup opozitar me ndikim të kufizuar në rajon.

Share Button