BE takim të “jashtëzakonshëm” për shkak të skandalit me vezët

Bashkimi Evropian (BE) dy muaj pas krizës së vezëve me insekticide në shumë shtete evropiane u mblodh në mënyrë të “jashtëzakonshme” për të diskutuar mbi këtë çështje, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioneri për Sigurinë e Ushqimit dhe Shëndetësisë të Këshillit të BE-së, Vytenis Andriukaitis pas takimit të mbajtur me ministrat e shteteve anëtare mbajti një konferencë për media.

Duke vënë në dukje se në mbledhje janë fokusuar në “mësimet” e përfituara nga kriza e vezëve, Andriukaitis thotë se në të ardhmën duhet “Vepruar në mënyrë më konsistente dhe më të koordinuar” që një gjë e tillë të mos përsëritet.

“Rastet e mashtrimit lidhur me ushqimin dëmtojnë besimin e publikut për sigurinë e ushqimit dhe njashtu mund ta shkatërrojë tërësisht besimin në industrinë e ushqimit. Veprimet mashtruese dhe gabimet e disa personave nuk duhet të kenë ndikime kaq të mëdha dëmtuese”, tha ai.

– Zbulohen mangësitë që shkaktuan krizën

Ai tha se kanë përcaktuar hapat që duhet marrë në nivelin e BE-së dhe shteteve anëtare për eliminimin e mangësive të dala nga kriza e vezëve. Andriukaitis njoftoi se morën vendimin për zhvillimin e mekanizmit të “njoftimit të kërcënimit” në mes të shteteve anëtare dhe Komisionit Evropian.

Duke theksuar rëndësinë e informimit të shpejtë të opinionit në raste të krizës, Andriukaitis nënvizoi se në rastet e tilla me shpejtësi duhet bashkarisht të bëhet “analiza e krizës”.

Andriukaitis po ashtu bëri të ditur se kanë marrë vendimin për organizimin e edukimit dhe stërvitjeve të cilat përfshijnë aktivitetet për ndërtimin e kapaciteteve për të dhënë përgjigje më të mirë për një krizë të mundshme në shtetet anëtare. “Mbrojtja e shëndetit publik dhe të sigurisë së ushqimit është përgjegjësi e të gjithëve”, tha ai.

– BE-ja reagoi me dy muaj vonesë

Fipronili është një insekticid që përdoret për të shkatërruar insektet, merimangat dhe rriqërat në sektorin e shpendëve, megjithatë në Bashkimin Evropian (BE) është e ndaluar ta përdorin atë në shpezë, të tilla si pulat, të cilat rriten për konsum njerëzor.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) fipronil-in e shpalli “materie të mesme të dëmshme” e cila nëse konsumohet në masa të mëdha mund të dëmtojë veshkat, mëlçinë dhe gjëndrat tiroide.

Pasi në fillim të muajit gusht në Evropë, fillimisht në Holandë, Francë, Gjermani dhe Belgjikë u zbulua vezët me fipronil, kriza e vezëve u përhap në më shumë se 20 vende ku këto shtete eksportonin vezë.

Kjo shkaktoi reagime dhe shqetësime të shumta ndërsa vezët me insecticide u larguan nga tregu dhe u morën masat e nevojshme. Ndërkaq diskutimi i kësaj teme me vonesë nga BE-ja me një seancë të “jashtëzakonshme” tërhoqi vëmendje.

Kriza e vezëve zbuloi dobësinë e sistemit të ndërtuar nga BE-ja për sigurinë e ushqimit. Shtetet anëtare nuk arritën që ta ndalojnë krizën e vezëve duke përdorur kanalin e BE-së.

Më parë ishte bërë e ditur se skandali shpërtheu kur një kompani në Belgjikë kishte përzier incekticidin e quajtur fipronil me produktin e pastrimit të quajtur Dega-16. Pretendohej se kompania ka shitur këtë produkt të pastrimit kompanisë Chickfriend e cila kujdesej për fermat e shpezëve në Belgjikë dhe Hollandë. Si pasojë e asaj që kjo kompani ka përdorur këtë produkt të pastrimit në fermat e shpezëve vezët janë infektuar me insekticide.

Share Button