Tajlandë, ushtria nis bisedimet për zgjidhjen e krizës

Një ditë pasi deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme, ushtria e Tajlandës ka nisur një takim gjatë së mërkurës me partitë kryesore të përfshira në trazirat politike, të cilat kanë pushtuar vendin prej 6 muajsh. Tensionet e thella në Tajlandë gjatë muajve të fundit kanë nxitur përplasje vdekjeprurëse, duke paralizuar pjesë të rëndësishme të kryeqytetit dhe duke rrëzuar nga pushteti edhe një kryeministre.

Ushtria, e cila ka një histori të gjatë me ndërhyrjet e saj në politikën tajlandeze, u fut në skenë gjatë së martës me deklarimin e papritur e shokuese të vendosjes së ligjit ushtarakë, lëvizje të cilën e mori pa dhënë asnjë paralajmërim ndaj kryeministres në detyrë. Zyrtarë të ushtrisë mohuan se ndërhyrja e tyre, që ka thelluar paqartësitë mbi të ardhmen e vendit, të ishte një grusht shteti. Por, aktivistët e të drejtave të njeriut paralajmëruan se vendosja e ligjit ushtarak është një hap i madh që bëhet në largim nga demokracia dhe të cilit i mungojnë masat mbrojtëse. Ushtarët kanë marrë pozicionet në kryqëzimet kryesore të Bangkokut, si dhe jashtë zyrave të stacioneve televizive. Ushtria tha se të gjitha radiot dhe televizionet e vendit duhet të pezullojnë programet normale “kur të jetë e nevojshme”.Por, jeta e përditshme vazhdon pa ndonjë pengesë të madhe përgjatë pjesëve më të mëdha të kryeqytetit. Të mërkurën, mjetet e ushtrisë kanë lënë disa zona, ku ishin vendosur një ditë më parë.

Share Button