Tahiri: Policia e Shtetit së shpejti me uniformë të re

Policia e Shtetit do të pajiset së shpejti me uniformë të re. Lajmi u  bë i ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri gjatë ekspozitës “Policia ndër vite”, ku njoftoi çeljen e konkursit. “Sot hapim konkursin ndërkombëtar për uniformën e re te Policisë së Shtetit, pasi duam që Policia të jetë sipas kërkesave të qytetarit”. Tahiri nënvizoi se krijimi i një marrëdhënie miqësore mes policisë dhe qytetarëve është bazë për rritjen e sigurisë në vend. “Synojmë ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë seç ishte dje, një vend më të sigurtë. Për këtë duhet të zhbëjmë hendekun mes komunitetit, qytetarit dhe Policisë së Shtetit. Në të gjithë botën është e pranuar se qyteti nuk mund të jetë i sigurtë nëse qytetarët e policia nuk bashkëpunojmë. Duhet punë kolosale që qytetarëve t’ju kthehet besimi tek policia, nuk duhet më policia e frikës. Jemi në rrugën e duhur për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë jo vetëm, po te bëjmë bashkë me qytetarët më të rinj, shqiptarët e gjeneratës së re që zbatojnë rregullat bashkë me gjeneratën e re të policisë”, përfundoi ai.

Share Button