Surprizat e mbylljes së festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2017”

Dita e fundit e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2017” do të sjellë për publikun dy shfaqje të ndryshme, si përsa i përket modelit që ofrojnë, ashtu edhe vendeve e kulturave prej të cilave vijnë.

Trupa e parë është Kompania Teatrore “S’arza”, e ardhur nga Sardenja, Itali, e cila përfaqësohet në këtë festival me shfaqjen “Kukull prej druri”, nën regjinë e Romano Foddai dhe interpretimin e vetë regjisorit së bashku me dy aktorët Maria Paola Dessi dhe Stefano Petretto. Kjo pjesë është frymëzuar nga historia e famshme e Carlo Collodi, “Pinoku”, e cila rikthehet vite më vonë, me të gjitha aspektet e saj, për mesazhet e forta morale dhe edukative që ajo transmeton. Në fokus të kësaj drame janë efektet negative të sjelljeve, që tentojnë të mos përfillin rregullat dhe të respektojnë marrëdhëniet e dashurisë mes etërve dhe bijve dhe ndikimin që kanë këto në një familje. Vepra sjell në vëmendje fenomenin që ekziston në shoqërinë e sotme ku prindërit u lejojnë fëmijëve të bëjnë ç’të duan, ku koncepti i autoritetit dhe moralit është sfiduar fuqishëm nga idea e keqkuptuar e lirisë së shprehjes në fëmijëri. Nuk është një rastësi, që babai, në veprën “Pinoku”,  është një pikë referimi për të përcaktuar ndjenjën e detyrës dhe mishërimin e rritjes morale të fëmijës që do të bëhet një i rritur i ardhshëm. Babai përfaqëson autoritetin që shpërblen, ndëshkon dhe drejton sjelljen e mirë të fëmijës gjatë rritjes së tij.

Meqenëse është një pjesë e përshtatshme për spektatorët e vegjël, është menduar që kjo shfaqje të interpretohet në ambient të hapur, në parkun e ri të qytetit të Elbasanit, për të qenë sa më pranë fëmijëve.

 

 

“Nga Egzili në Egzil” do të jetë shfaqja e fundit e këtij edicioni të Festivalit “Skampa”, e cila sjell, përmes formës skenike, veprën e poetit të famshëm turk Nazim Hikmet. Ky recital poetiko-muzikor vjen në skenë nga trupa teatrore AD- HOC e Gjenevës dhe Kompania e Teatrit Muzikor, Lozanë, Zvicër. Vepra, e cila do të interpretohet nën drejtimin artistik të Mathieu Chardet,  shoqërohet me muzikën origjinale të kompozuar enkas për këtë pjesë nga oboistja dhe pianistja turke Ayser Vançin. I cilësuar si “revolucionari romantik”, poeti Nazim Hikmet, pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në burg ose në egzil, për shkak të bindjeve të tij politike. Jeta e poetit ka shërbyer si burim frymëzimi për dy artistët, pikërisht se, pavarësisht viteve të devijimit, ai nuk e humbi kurrë besimin te Njeriu dhe kurrë nuk hoqi dorë nga lufta për të.

 

Share Button