Sulme kundër refugjatëve në Gjermani

Në gjysmën e parë të vitit 2017, në Gjermani njoftohet se janë kryer 642 sulme kundër refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportimeve të agjencisë gjermane të lajmeve (DPA), bazuar në përgjigjen e dhënë nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë ndaj pyetësorit të Partisë së Majtë, theksohet se në tremujorin e parë të vitit 2017, janë regjistruar 318 sulme kundër refugjatëve dhe në tremujorin e dytë 324 sulme.

Në përgjigjen e dhënë ku bëhet e ditur se në mesin e këtyre sulmeve ndodhen edhe fyerjet ndaj refugjatëve, theksohet se në sulme janë plagosur 123 persona.

Në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme bëhet e ditur se për periudhën janar-qershor përveç sulmeve të kryera kundrejt personit janë kryer edhe 153 sulme kundër banesave të refugjatëve.

Deputetja e Partisë së Majtë, Ulla Jelpke, duke vënë në dukje se në të njëjtën periudhë të një viti më parë ka patur mbi 1.500 sulme kundër refugjatëve, ka theksuar se këto sulme ndodhen ende në nivel të lartë pavarësisht se ka një pakësim të valës së sulmeve në krahasim me një vit më parë.

Ndër të tjera pasi është shprehur se kjo është “një sfidë”, Jelpke ka vlerësuar se “refugjatët kërcënohen ende çdo ditë nga nazistët dhe racistët”.

Share Button