Sulm pranë Xhamisë së Profetit, arrestohen 46 persona

Ministria e Punëve të Brendshme e Arabisë Saudite ka njoftuar se janë arrestuar 46 persona për lidhje me sulmin terrorist në korrik të vitit të kaluar ndaj Xhamisë së Profetit (Mesxhidi Nebevi) në Medine të Arabisë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).

Mansur et-Turki, zëdhënës për sektorin e sigurisë pranë Ministrisë, përmes një deklarate për agjencinë zyrtare të lajmeve të Arabisë Saudite, SPA, ka njoftuar se në muajin janar janë kryer bastisje në lagjen En-Nesim në qytetin e Xhides, me ç’rast është konfirmuar se sulmi ka pasur lidhje direkte me krime të tjera terroriste.

Turki ka theksuar se mjeti shpërthyes i përdorur gjatë sulmit vetëvrasës pranë Xhamisë së Profetit vitin e kaluar ka lidhje me “qelizën terroriste” Harazat, duke shtuar se është vërtetuar që qelia terroriste në fjalë ka pasur lidhje edhe me sulmin me bombë në parkingun e Spitalit Sulejman Fakih në korrik të vitit të kaluar.

Turki ka njoftuar se janë arrestuar 46 persona të “qelizës terroriste” për të cilën thuhet të ketë lidhje me sulmin terrorist pranë Xhamisë së Profetit. Sipas tij, 32 nga të arrestuarit janë shtetas të Arabisë Saudite, kurse 14 të tjerët nga Pakistani, Jemeni, Afganistani, Egjipti, Jordania dhe Sudani.

Personat e arrestuar thuhet të kenë lidhje me organizatën terroriste DEASH.

Ndryshe, si rezultat i sulmit vetëvrasës më 4 korrik të vitit të kaluar në afërsi të Xhamisë së Profetit në qytetin e shenjtë të Arabisë Saudite, Medine, kishin humbur jetën gjashtë persona, pjesëtarë të sigurisë dhe civilë, kurse dhjetë të tjerë ishin plagosur.

Share Button