Sulejman Rexhepi: Islamofobia është terrorizëm

Reagimi i kryetarit të BFI-së, Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, Reis Ulema Sulejman Haxhi Rexhepi

Civilizimi islam dhe muslimanët i dhuruan njerëzimit matematikën, astronominë, mjekësinë, pra bazat e shkencës. Pse atëherë, një miliard njerëz duhet të vlerësohen sipas një grushti terroristësh ?

Menjëherë pas sulmeve në Paris, një funksionar i partisë qeveritare maqedonase kishte shkruar në facebook : “ Të kuptohemi. Nëse nuk i godet i pari, ata të godasin të parët.”. Dhe, për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër, e goditën mesxhidin në Kriva Pallankë. Vetëm që të godasin sa nuk i ka goditur dikush, jo për diçka tjetër”.

Ndërkohë, një gazetar kontrovers shqiptar e tha publikisht se duhet të bombardohet Meka, me siguri nga dëshira që të dëshmojë se është shumë “proeuropian”.

Pastaj, dikush tha se “Islami është më i keq se fashizmi” dhe kështu vijuan diskutimet për telat me gjemba dhe bllokimet e kufijve.

Mendoj se nuk do ishte e përshtatshme të përsëris më gjerësisht qëndrimet e mia rreth terrorizmit në përgjithësi dhe ndaj atij të veshur kinse me petkun islam, në veçanti.

Vetëm do them se terrorizmi është i destinuar të dështojë, por, për fat të keq, nxit kundërpërgjigje që nuk dallojnë fortë nga shkaku i tyre, kurse viktima janë përherë të pafajshmit, në këtë rast muslimanë që me përqindje shumë të madhe janë kundër dhunës dhe terrorizmit.

Nuk ka dyshim se bombat e ISIL kontribuojnë për rezervat që krijohen ndaj Islamit dhe muslimanëve.

Por, a janë bombat e tyre më të vjetra apo islamofobia që në vete përmban frikë dhe urrejtje ndaj fesë islame, por mbi të gjitha përmban paragjykime të tmerrshme?

Shumëkush thotë se islamofobia lindi nga sulmet mbi kullat binjake dhe morri hov nga koncepti radikal i Hantigntonit, lidhur me përplasjen e civilizimeve. Dhe, është fakt se që atëherë po dëgjojmë kualifikime që nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me Islamin. Por, ato po vazhdojnë të përhapen.

Disa po thonë se “Islami është primitiv dhe nuk ka asgjë të përbashkët me kulturat e tjera, është barbar, agresiv dhe po e mbështet terrorizmin sepse është ideologjia me të cilën bëhen depërtime ushtarake e politike. Prandaj, eliminimi i muslimanëve nga shoqëritë perëndimore është normale, siç është normale edhe armiqësia ndaj tyre”.

Gjithnjë e më shumë po vendoset shenja e barazisë mes Islamit dhe ideologjive dhe individëve radikalë..
Çfarëju përkujton e gjithë kjo kjo ? Mua, sinqerisht, më përkujton një ideologji që kishte shenjë dalluese kryqin e thyer(svastikën) e që shkaktoi luftë dhe viktima sa të gjitha luftërat paraprake bashkë

. Por është më moderne që e gjithë urrejtja dhe paragjykimet ndaj Islamit të tubohen në një vend e të emërtohen me atë shprehjen e sofistikuar- Islamofobi.Kjo e fundit, nëse analizohet më seriozisht, nuk prodhon asgjë të mirë, asgjë për të qenë.

E zhvilluar dhe e përhapur nga lëvizjet e të djathtës ekstreme dhe e përqafuar edhe nga të tjerë, islamofobia në fakt e ushqen terrorizmin, qoftë ai “islamik” apo ndonjë tjetër.

E di, trimoshët e brengosur të llojit të atyre fatkeqëve që i përmenda në fillim të tekstit, menjëherë do e shtrojnë dilemën e njohur për pulën dhe venë. A ishin në fillim bombat apo ishte islamofobia ?

E pra, trimosha, shikuar historikisht, islamofobia ka qenë e kultivuar qysh nga koha e kryqëzatave, qysh nga kohët kur morën hov qëndrimet se Islami dhe muslimanët duhet të zhbëhen nga Evropa, gjë e cila, mjerisht, pati sukses në Spanjë e Itali.

Por, këto gjëra duhen sqaruar përmes debateve intelektuale dhe shkencore. Dhe, jo për t’ju dhënë të drejtë njërës apo palës tjetër të praktikojnë terrorizmin. Duhet të sqarohet se terrorizmi është një e keqe e përgjithshme, e dënuar edhe nga Islami, edhe nga Krishterimi i cili ka për postulat besimin e Isait(Krishtit) te dashuria. Ndryshe, besoj se islamofobia është e ndaluar edhe sipas kanuneve kishtare.

Por, nëse islamofobinë e shikojmë më ngushtë, nga aspekti ballkanik, ose nga prizmi ynë këtu në Maqedoni, ajo merr edhe një dimension që vetëm e komplikon më tej dhe i jep një tingëllim akoma më dramatik.

Në fakt, sipas një rregulli të pashkruar, te ne përherë bëhet identifikimi i kombit dhe i fesë dhe në atë mënyrë, mosmarrëveshjet ndërnacionale dhe tensionimet reflektojnë edhe te feja. E një gjë e këtillë nënkupton, apo jo, problem shtesë për Maqedoninë, të tjera Marrëveshje të Ohrit e të Përzhinës.

Duke bërë përpjekje që të gjykoj në mënyrë racionale, po më përfshinë një ndjenjë jo fortë e këndshme. Unë mendoj se Evropa, e cila realisht është e sulmuar nga ISIL, do të gjejë mundësi për të menaxhuar këtë konflikt dhe ta tejkalojë krizën momentale.

Do ta bëjë për shkak të 45 milionë muslimanëve që jetojnë aty dhe nuk dëshirojnë të kenë kurrfarë lidhje me terrorizmin. I bindur jam se kjo gjë do të ndodh, mes tjerash, edhe duke e disiplinuar islamofobinë.
Por, po frikësohem se islamofobia do vazhdojë të frymojë ndër ne.

Diskursi negativ politik e medial që Islamin dhe muslimanët vazhdon ti konsiderojë si poligon për qitje, është shqetësues për të gjithë ne. Të identifikohen Islami dhe muslimanët në mënyrë gjenerale me ekstremistë e terroristë do të thotë vetëm demonizim i mëtejmë i tyre dhe provokim.

Përfundimisht, ISIL është organizatë keqbërëse dhe terroriste. Por, islamofobia po ashtu është keqbërje dhe terrorizëm.

 

Share Button