Suedi, zgjatet lejeqëndrimi për refugjaten 106 vjeçare afgane

Gjykata në Suedi mori vendim për ndalimin e vendimit për dëbimin e afganes 106 vjeçare Bibikhal Uzbek, e cila mendohet se është refugjatja më e moshuar në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykata Administrative e Migracionit të Goteburgut prishi vendimin për dëbimin e refugjates Bibikhal Uzbek me arsyetimin se është e moshuar, e sëmurë dhe në nevojë për kujdes. Gjykata mori vendimin që të japë 13 muaj lejeqëndrim për gruan e vjetër.

Anëtari i Gjykatës Administrative të Migracionit në Goteburg, Dick Hjort në një deklaratë për televizionin publik të Suedisë tha se dëbimi i një gruaje kaq të vjetër dhe të sëmurë është e gabuar.

Duke bërë të ditur se asaj i është vazhduar lejeqëndrimi i përkohshëm për 13 muaj të tjerë, Hjort tha se pas kësaj kohe ajo ka të drejtë të aplikojë në Zyren e Emigrimit për të kërkuar lejeqëndrim dyvjeçar.

Zyra e Emigrimit refuzoi kërkesën për azil të Bibikhal Uzbek, e cila mendohet se është gruaja më e vjetër në botë dhe vendosi që ta dëbojë atë nga Suedia.

Gruaja afgane e cila vitin e kaluar kishte ikur nga lufta kur ajo ishte në moshën 105-vjeçare, së bashku me familjen e saj nëpërmjet rrugëve ilegale kishte mbërritur në Kroaci.

Policia e Kroacisë, pas vlerësimit të dokumenteve njoftoi se kanë zbuluar që gruaja është 105-vjeçare. Gruaja e moshuar pas Kroacisë shkoi në Suedi ku paraqiti kërkesën për strehim.

Share Button