Spanja merr kontrollin mbi Katalonjën dhe shpërbën qeverinë separatiste

Spanja mori kontrollin e drejtpërdrejt të Katalonjës dhe shpërndau qeverinë separatiste rajonale, pas shpalljes së masave të jashtëzakonshme gjatë natës në ‘Gazetën Zyrtare’ në internet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ky veprim ndodhi të shtunën në mëngjes pasi që deputetët separatistë katalonjas të premten pasdite miratuan propozimin për pavarësinë nga Spanja.
Kryeministri Mariano Rajoy, i cili tani mori kompetencat e presidentit katalonjas Carles Puigdemont, si autoritet suprem në vendimmarrje në rajonin verilindor, shpërndau Parlamentin e Katalonjës dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme rajonale më 21 dhjetor.

Puigdemont dhe 12 anëtarët e Qeverisë së Katalonjës më nuk do të paguhen dhe do të akuzohen për uzurpim të funksioneve nëse refuzojnë të respektojnë vendimin e qeverisë qendrore.
Deri më tani nuk ka patur reagim nga zyrtarët separatistë katalonjas ndaj masave të qeverisë spanjolle. Vetëm drejtori i policisë rajonale, i cili gjithashtu u shkarkua, lëshoi një deklaratë në të cilën thotë se do t’i përmbahet vendimit.

Share Button