Azerbajxhan: Nisin lojërat e Solidaritetit Islamik, 5 sportistë nga Shqipëria

Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat e katërta të Solidaritetit Islamik, që do të mbahen këtë vit në Baku të Azerbajxhanit nga data 12 deri më 22 maj.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani thekson rëndësinë e këtyre lojërave për sportistët e së ardhmes së vendit tonë.

“Këto lojëra janë kryesisht për sportistë të rinj, që do të kenë një të ardhme. Edhe vendi ynë do të marrë pjesë me 5 sportistë, që konsiderohen sportistë me kapacitete të rëndësishme për aktivitetet e radhës, e për këtë arsye ne shpresojmë shumë në rezultate pozitive për ta”, tha Viron Bezhani.

Edhe pse ky aktivitet lidhet me Solidaritetin Islamik, organizatorët nuk kanë pasur asnjë kriter fetar në përfshirjen e sportistëve nga të gjitha komitetet olimpike pjesëmarrëse.

“Këto lojëra nuk kanë pasur asnjë kufizim, apo kriter fetar, përsa i përket pjesëmarrjes, madje mund të them se në grupin e sportistëve tanë, pjesëmarrës ka edhe sportistë të fesë së krishterë”, tha Viron Bezhani.

Shqipëria do të marrë pjesë me 5 sportistë, Relaksa Dauti, Arta Merturi, Spajdi Selamaj, Deni Baholli dhe Elord Gjana, të ndarë në 5 disiplina të ndryshme si atletika, xhudo, karateja, noti dhe taekwondo./ Top Channel

Share Button