Sondazhi i BBC, imazh negativ për Rusinë

Këndvështrimi i njerëzve për Rusinë është përkeqësuar fuqishëm që prej vitit të kaluar, kjo sipas një sondazhi të kryer në të paktën 24 vende për shërbimin e jashtëm të BBC-së. Anketa e cila u ndërmorr përpara krizës në Krime, tregon se njerëzit janë më negativë sa i takon Rusisë, gjatë vitit të kaluar sesa kanë qenë në çdo kohë tjetër që kur ky lloj sondazhi nisi të kryhej në vitin 2005. Edhe pikëvështrimi për Bashkiminn Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë më negative, gjithashtu, ndërsa Gjermania mban pozicionin e saj si vendi që shihet më pozitivisht nga gjithë të tjerët. Irani dhe Koreja e Veriut tërhoqën vlerësimet më negative. Sondazhi për Listimin e 24 Shteteve u krye nga GlobeScan/Pipa. Midis dhjetorit 2013 dhe prillit 2014, më shumë se 24 mijë njerëz renditën 16 vende dhe BE sipas mendimit të tyre për ndikimin në botë, me dy përgjigje: “më shumë pozitiv” dhe “më shumë negativ”. Pikëvështrimet negative për Rusinë janë mesatarisht 45 për qind në të gjitha vendet, dhe janë rritur me 4 pikë prej 2013.
Ndërkaq, pikëpamjet negative për Shtetet e Bashkuara janë rritur sidomos mes spanjollëve, gjermanëve dhe brazilianëve.
Analistët vënë në dukje se kjo nuk është e rastësishme, pasi vendet që rezultojnë me rritjen më të shpejtë të vështrimit negativ për Amerikën, janë ato që janë përfshirë më së shumti në skandalin e përgjimeve.
Perceptimet për BE janë në pikën më negative që kur ka nisur sondazhi. Në Spanjë, Gjermani dhe Francë, renditja negative për Bashkimin Europian është rritur me pothuajse 19 pikë.  Ndërkohë, 60 për qind e të anketuarve i japin Gjermanisë një vlerësim pozitiv. Dukshëm në fund të listës së popullaritetit janë Irani, Pakistani dhe Koreja e Veriut, të gjitha vende me imazhe negative të përcjella nga media. Pyetja e madhe që ngre sondazhi është sesa shumë ndikohen pikëpamjet e njerëzve nga tonaliteti i mbulimit të lajmeve në një vend të caktuar.

Share Button