Somalia, 1 miliardë dollarë ndihmë nga Turqia

Zëvendëskryeministri turk, Mehmet Shimshek (Mehmet Şimşek), dje deklaroi se Turqia nga viti 2011 ka dërguar ndihmë në vlerë prej një miliardë dollarëve në Somali, si pjesë e strategjisë për Afrikën, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në takimin e ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të G20, në qytetin perëndimor gjerman Baden Baden, Shimshek deklaroi se Turqia gjatë takimit ndau strategjitë e saj ekzistuese për Afrikën.

Ai deklaroi se një nga pikat e rendit të ditës në takimin e G20 është forcimi i dialogut me vendet afrikane meqë, siç tha, 100 vitet e ardhshme do të jenë vite të Afrikës. “Çfarë është Azia sot në raport me ekonominë globale. Nëse Azia është forca më e madhe lëvizëse e ekonomisë globale sot, ekziston një mundësi e tillë edhe për Afrikën në të ardhmen”, tha zëvendëskryeministri i Turqisë.

“Turqia tashmë po bën përpjekje të mëdha për Afrikën. Kemi një strategji të caktuar. Kishim 12 ambasada në vitin 2004, ndërsa tani janë 39”, tha ai.

Shimshek po ashtu tha se takimi dy ditor në Baden Baden është frytdhënës për Turqinë që të shprehet para investitorëve. “Tentuam që t’i heqim pikëpyetjet në kokat e atyre që kanë investime në Turqi dhe të atyre që mendojnë të investojnë”, tha ai.

Share Button