Siri: Asadi nuk i ndal sulmet, shënjestër 60 mijë civilë

Të paktën 51 civilë janë vrarë dhe 320 janë plagosur në sulme ajrore dhe artilerike të kryera nga forcat besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad në 20 ditët e fundit në qendër të Homsit, raporton Anadolu Agency (AA).

Vaer është lagjja më e madhe në Homs dhe një nga rajonet e fundit në qytet, e cila është e kontrolluar nga opozita, rajon ku rreth 60.000 civilë për tre vjet janë nën rrethimin e regjimit sirian.

Në Vaer për pesë muaj nuk është futur asnjë autokolonë me ndihma humanitare, kurse në javët e fundit forcat e regjimit kanë intensifikuar sulmet e tyre në rajon.

Paralelisht me sulmet ndaj vendbanimeve, forcat e regjimit në ditët e fundit kanë kryer të paktën katër sulme në spital dhe qendrën humanitare në Vaer.

Në qytetin pa energji elektrike dhe pa ndihma humanitare, popullsia mbijeton kryesisht në bodrume dhe strehimore.

Autokolona me ndihma humanitare nën flamurin e OKB-së për herë të fundit u përpoq të hyjë në Vaer më 21 shkurt të këtij viti, por nuk u lejua nga forcat e regjimit sirian.

Dy ditë pas ndalimit të autokolonës humanitare është kryer një sulm me bombë në ndërtesën e inteligjencës e cila është në Homs nën kontrollin e regjimit sirian. Edhe pse grupi rebel Tahrir Sham e mori përgjegjësinë për sulmin, regjimi i Asadit ka përdorir sulmin si justifikim për intensifikimin e sulmeve ndaj vendbanimeve në Vaer.

Shefi i Qendrës Mediale në Vaer Osama Abu Zeyd për AA tha se ishte e pamundur që dikush nga Vaeri të ketë kryer sulmin, sepse ky rajon është nën rrethim, por kjo është kërkim klasik i justifikimit për sulmet e tmerrshme ndaj civilëve.

“Dy ditë më parë ne kemi formuar një delegacion të figurave të shquara në Vaer dhe u takua me një delegacion të zyrtarëve rusë. Rusët nuk na dhanë kurrfarë garancie, edhe pse ata janë garantues të regjimit sirian të marrëveshjes së armëpushimit të arritur kohë më parë. Ata thanë se do të na ofrojnë një propozim të një rruge të hartës për arritjen e armëpushimit në Homs. Ne jemi duke pritur këtë propozimin”, tha Abu Zeyd.

Me ndërmjetësimin e Turqisë dhe Rusisë më 30 dhjetor u arrit armëpushimi në Siri. Forcat opozitare siriane kanë pezulluar sulmet ndaj pozicioneve të regjimit sirian, ndërsa forcat besnike të regjimit të Asadit vazhdojnë me sulmet e tyre duke shkelur armëpushimin.

Share Button