Siri, 57 çifte të evakuuara martohen me ceremoni të përbashkët

Në Siri, 57 çifte nga rajoni Daraja i Damaskut, të cilët kishin ngelur të detyruar të evakuohen në Idlib pas bllokadës disavjeçare nga regjimi i Asadit, janë martuar përmes një ceremonie të përbashkët të kurorëzimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Banorët e Darajas në Damask ishin detyruar të evakuoheshin në muajin gusht të vitit të kaluar, pas shkatërrimit të rajonit dhe sulmeve ajrore dhe bllokadës së regjimit të Bashar al Asadit për tri vite.

Të zhvendosur në Idlib në veriperëndim të vendit, banorët e Darajas prej një viti përpiqen të krijojnë një jetë të re.

Mbrëmë, 57 çifte nga ky vend u martuan përmes një organizimi i cili u mbështet nga fondacioni humanitar turk IHH dhe shoqata të ndryshme siriane.

Ceremonia u shoqëruar me valle tradicionale të vendit, ndërsa në të morën pjesë qindra të ftuar.

Shoqatat humanitare kanë mbuluar shpenzimet e dasmës dhe shpenzimet e qirasë për tre muaj për çiftet e sapomartuara, ndërsa po ashtu kanë siguruar edhe orenditë shtëpiake.

“Me vite kemi qenë të rrethuar. Nuk kishim mundësi të martoheshim”, tha Ibrahim Hamit, njëri nga të sapomartuarit.

Share Button