Sindikatat norvegjeze bojkotojnë Izraelin, shkak dhuna ndaj palestinezëve

Sindikatave të Norvegjisë ka votuar në favor të bojkotit ekonomik, kulturor dhe akademik të Izraelit, lidhur kjo me keqtrajtimin e palestinezëve. Në përgjigje, Tel Avivi tha se unioni sapo “u vendos në krah të armiqve më të këqinj të Izraelit”.

Konfederata norvegjeze e Sindikatave (LO) e mori vendimin të premten në Kongres, raportojnë mediat lokale. Kongresi është autoriteti më i lartë i organizatës dhe mban takime çdo katër vjet.

Konfederata duhet të fillojë një përpjekje “për të arritur një bojkot ndërkombëtar ekonomik, kulturor dhe akademik ndaj Izraelit”, thanë përfaqësuesit në mbledhje. Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të zbatohet ndalimi i propozuar.

Bojkoti do të shërbejë si një instrument për Palestinën që të njihet si shtet, gjithashtu për t’i dhënë fund okupimit izraelit të tokës palestineze dhe bllokadës së Gazës, raportojnë mediat norvegjeze duke cituar Kongresin.

Konfederata shkoi kundër rekomandimeve të udhëheqësit të saj të sapozgjedhur, Hans-Christian Gabrielsen dhe votoi 193 (disa media raportojnë 197) me 117 për të bojkotuar Izraelin. Gabrielsen tha se vendimi do të dëmtonte punëtorët palestinezë. “Situata për punëtorët palestinezë është e brishtë. Shumë prej tyre mbështeten në punën në Izrael,” tha ai.

Jan Olav Andersen, një anëtar i komitetit të redaktimit të LO-së që votoi për bojkotin, tha “mjaft është mjaft”.

“Ky vit është viti i pesëdhjetë që kur Izraeli shkeli ligjin ndërkombëtar të okupimit [në Palestinë] … Dhe diplomacia nuk e ka përmirësuar situatën,” tha ai.

LO ka “një pozitë të fortë në shoqëri dhe ka vendosur vulën e saj mbi zhvillimin e shoqërisë për më shumë se 100 vjet”, sipas faqes së saj të internetit. Organizata ombrellë është e lidhur me 24 sindikata me rreth 900,000 punëtorë.

Ministri i jashtëm i vendit, Borge Brende e kritikoi votimin e konfederatës, duke thënë se qeveria “e kundërshton fuqishëm” këtë ide.

“Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim dhe dialog, jo për bojkot,” ai shkroi në Twitter.

Ndërkohë, ambasadori izraelit në Norvegji, Raphael Schutz tha se vendi i tij e dënon bojkotin kundër shtetit hebre “në termat më të fortë”.

“Kjo rezolutë imorale pasqyron qëndrime rrënjësore të paragjykimeve, diskriminimit dhe standardit të dyfishtë kundrejt shtetit hebre”, shkruan ai në faqen e tij në Facebook.

Sipas ambasadorit, “pranimi i kërkesës për kthim të miliona refugjatëve palestinezë dhe pasardhësve të tyre, jo në shtetin palestinez, por në Izrael, nënkupton në realitet shpërbërjen e shtetit hebre”.

“Duke miratuar këto qëndrime, LO u vendos në krah të armiqve më të këqinj të Izraelit”, shtoi ai.

Për dekada me radhë, Territoret Palestineze – aktualisht një shtet vëzhgues joanëtar në Kombet e Bashkuara – kanë kërkuar që OKB-ja dhe bashkësia ndërkombëtare të njohin plotësisht territoret e tyre si një komb të pavarur dhe sovran.

Të paktën 137 nga 193 vendet anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e Palestinës deri tani. Në dhjetor të vitit 2016, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë që kërkonte që Izraeli “të ndërpresë menjëherë dhe plotësisht të gjitha aktivitetet e ndërtimit” në territoret e pushtuara palestineze, në të cilën Shtetet e Bashkuara abstenuan. Ishte rezoluta e parë e miratuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për konfliktin izraelito-palestinez në gati tetë vjet.

Share Button