Si u vendos ‘Dita e Verës’ në Shqipëri?

Që nga viti 2004 Parlamenti Shqiptar ka vendosur me ligj datën 14 Mars si “Ditën e Verës” në Shqipëri.
Historia e kësaj date fillon në vitin 1740 kur Sulltan Mahmudi I, i cili sapo kishte hipur në fron, me propozim të Kreut të Thesarit (Baş Defterdar) Atif Efendi, vendosi që në vend të muajit “Muharram” si muaj i parë i vitit kalendarik të shpallej muaji “Mars” i kalendarit Julian.

Ky vendim u bë thjesht dhe vetëm për arsye financiare për të korigjuar të dhënat fiskale për pagesën e taksave dhe marrëdhëniet me zyrtarët e qeverisë. Këtë propozim, për të futur në veprim një kalendar të veçantë të bazuar në Kalendarin Julian, ia kish bërë më se gjysëm shekulli më parë (1677) Sulltanit Mehmed IV një tjetër Bash Defterdar, i quajtur Hasan Pasha, i cili kish vënë re se çdo 33 vjet atyre u shpetonte një vit fiskal, që vinte si rezultat i diferencës midis kalendarit hënor Islamik dhe atij diellor Julian.

Megjithatë kaloi edhe një shekull tjetër kur më 13 Mars 1840 Sulltan Abdylmexhid I, në kuadër të reformave të Tanzimatit, miratoi Kalendarin Julian (i cili që nga viti 1677 në zyrat e Thesarit të Perandorisë Otomane ishte përdorur vetëm për çështjet fiskale dhe financiare) si kalendar zyrtar edhe për të gjitha çështjet civile.

Ai u quajt me emrin “Rumi Takvim” që fjalë për fjalë do të thotë “Kalendari Roman” (Romë quheshin të gjithë banorët e krishterë në Perandorinë Otomane). Ndryshe nga Kalendari Islam me bazë hënore, ky ishte një kalendar i bazuar tek dielli, që caktonte një ditë për çdo ditë diellore, ndërsa për numërimin e viteve si fillesë u ruajt po e njëjta ngjarje që shënonte edhe fillimin e kalendarin Islamik, pra viti 622 pas Krishtit, kur Muhameti dhe ndjekësit e tij emigruan nga Meka në Medinë. Me këtë rast u përdorën muajt dhe ditët e Kalendarit Julian, ndërsa viti i ri kalendarik u vendos të fillonte të nesërmen e marrjes së vendimit, më 14 Mars. Pra kjo ishte dita që në kujtesën popullore hyri si “Viti i Ri – allaturka”.

Share Button