Shqiptari ndihmon të varfërit duke ju dhënë pica falas

Gino Ramadani dhe e shoqja, Elvira, kanë bërë diçka që vështirë se do ta ketë bërë dikush para tyre. Ata kanë nxjerrë një shpallje ku tregojnë se në picerinë e tyre “Toscana” në Greifensee të Kantonit të Cyrihut, ofrojnë pica pa pagesë për të varfrit.

Fillimisht gruaja kishte dilema, duke menduar se nuk ka në Zvicër njerëz aq të varfër sa të përfitojnë nga oferta e tyre. Por, me kohë ajo është bindur se e ka pasur gabim, shkruajnë mediet zvicerane si 20minuten.ch, blick.ch.

Ajo dhe i shoqi thonë se kanë parë një numër relativisht të madh të atyre që kanë nevojë për një ofertë të tillë, 35 veta deri tash.

Janë kryesisht familjet me kushte të vështira dhe gratë vetëmbajtëse të cilat nuk kanë mundësi të shkojnë ndonjëherë për të ngrënë në restorant.

Këtë ide Ramadani e ka nga axha i tij në Berlin, i cili i ushqen të pastrehët.

“Një familje me tre fëmijë ishte për të ngrënë në restorantin tonë. Ata porositën fare pak dhe nuk pinë asgjë. Pastaj erdhi kryefamiljari për të paguar. Ai tha se kishin nëntë vjet që nuk kishin qenë në ndonjë restorant. Natyrisht, ne u dhamë të hanë falas”, thotë Gino. “Unë ju thashë se ata mund të vijnë këtu njëherë në muaj dhe se nuk duhet të paguajnë”, transmeton albinfo.ch.

Përvojat e para janë të mira. Kanë filluar edhe lëvdatat përmes rrjeteve sociale madje ka edhe njerëz që duan të ndihmojnë familjen Ramadani për të mbajtur këtë ofertë. Me mijëra veta kanë shpërndarë dhe kanë pëlqyer idenë e tij. Një grua e cila me familje e saj nuk kishte ngrënë në restorant dhe as kishte bërë pushme për 14 vjet, kishte qarë nga emocionet kur i ishte ofruar kjo ofertë.

Gino nuk beson se mund të ketë abuzues me ofertën e tij zemërgjerë. Por, ai nuk është naiv: “Mund të ndodhë edhe që të abuzohet por kjo nuk duhet të na ndalojë që të bëjmë mirë”, thotë Ramadani.

Share Button