Shpërthim në TEC-in e Obiliqit, 4 viktima

Katër persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një depozite me hidrogjen në termocentralin “Kosova A” në Obiliq të Kosovës. Autoritetet kosovare nuk kanë dalë ende me një deklaratë zyrtare për ngjarjen. Shpërthimi ka ndodhur në orët e paraditës së të premtes dhe Drejtori i Shërbimeve i Koorporatës Energjitike të Kosovës saktësoi se shpërthimi ka ndodhur në repartin e elektrolizës, ndërsa shkaqet mbeten për t’u hetuar. Policia ka rrethuar në një distancë prej dy kilometrash zonën nga frika e ndonjë shpërthim të dytë, pasi flakët rrezikojnë t’u afrohen edhe dy depozitave të tjera me hidrogjen. Ministri i Energjitikës, Fadil Ismajli deklaroi se nuk ka rrezik për një shpërthim të dytë, ndërsa shtoi se po punohet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit. Nga burime jozyrtare deklarohet se shkak i shpërthimit mund të jetë vendosja e një bombule gabimisht një natë më parë. Qendra Klinike Universitare e Kosovës konfirmon se po mjekon 13 tëplagosur, mes të cilëve njëri në gjendje të rëndë.Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe është ndjerë disa kilometra larg, deri edhe në disa zona të qytetit të Prishtinës. Pas shpërthimit në termocentralet e KEK-ut në Komunën e Obiliqit, Komuna e Prishtinës i ka vendosur të gjitha resurset e veta në dispozicion për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit si dhe në trajtimin e të lënduarve.
Qendra e thirrjeve emergjente ka pranuar shumë thirrje dhe ka deklaruar se është në gatishmëri ta ndihmojë Komunën e Obiliqit dhe KEK-un në këtë situatë të rëndë. KEDS, kompania që menaxhon rrjetin energjitik kosovar ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe gatishmërinë për të ndihmuar KEK-un në këtë tragjedi.
Ndërkohë, Kryeministri Hashim Thaçi ka ndërprerë takimet elektorale dhe është nisur menjëherë drejt Obiliqit, për t’u njohur nga afër me situatën. Nga vendi i ngjarjes ai pranoi se ka të lënduar, por shtoi se ekspertimi i vend-shpërthimit nuk ka përfunduar ende. Në shenjë solidarizimi me viktimat e incidentit të rëndë, edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka anuluar tubimet elektorale.Të njëjtin vendim kanë marrë edhe partitë e tjera politike.

Presidentja Atifete Jahjaga ka vizituar të lënduarit në spitalin e Prishtinës. Pasi shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave, presidentja kërkoi hetimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të tragjedisë në mënyrë që ato të shmangen në të ardhmen. Edhe kryeministri Rama ka reaguar në rrjetet sociale. “Lajm tronditës nga Kosova. Dhimbje e solidaritet me familjarët. Le të lutemi që i të dëmtuarve të mos rritet më tutje”, shkruan Rama. Ngushëllime nga Tirana kanë shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Berisha.

Share Button