Shpërthejnë protestat në Brazil

Protesta të dhunshme kanë shpërthyer në Rio de Janeiro pas vdekjes së një të riu, i cili dyshohet të jetë rrahur nga forcat e policisë në një nga lagjet e varfra të qytetit. Protestuesit bllokuan rrugët kryesore pranë zonës turistike të Copacabana. Trazirat nisën menjëherë pas vrasjes së një personi nga policia, e cila bëri të ditur se viktima dyshohej të ishte trafikant droge. Qyteti është mbuluar nga tymi pasi disa automjeteve i është vënë zjarri nga protestuesit, të cilët sulmuan edhe një stacion të policisë. Sipas Amnesty International rreth 2 mijë persona vdesin çdo vit si pasojë e dhunës policore. Situata është tensionuar ndjeshëm ditët e fundit në disa zona të Rios ku policia kërkonte të vendoste rendin në prag të Kampionatit Botëror, i cili do të nisë më 12 Qershor. Për dekada të tëra, zona në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Rios ka qenë e kontrolluar nga disa prej grupeve më të fuqishme të drogës në vend. Luftërat e ashpra mes grupeve kriminale rivale shpesh herë kanë çuar në mbylljen e autostradës që lidh qendrën e qytetit me aeroportin dhe rrugë të tjera të rëndësishme të Rios, ku do të luhet dhe finalja e Kupës së Botës.

Share Button