Shpallet thirrja publike për bashkëpunim ndërkufitar Maqedoni-Kosovë

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale i Republikës së Maqedonisë, Suhejl Fazliu, në një konferencë për shtyp njoftoi se nga dita e djeshme është shpallur thirrja e parë publike për projekte për bashkëpunim ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës, thirrje e cila do të jetë e hapur deri më 28 korrik të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Fazliu theksoi se në kuadër të kësaj thirrje publike në dispozicion janë 2 milion e 40 mijë euro nga Bashkimi Evropian (BE) për projekte nga të dyja vendet fqinje. Ai shtoi se bashkë-financimi në shumë prej 15 për qind të mjeteve të shfrytëzuara do të sigurohen nga dikasteri që ai drejton.

Fazliu bëri të ditur se mjetet e siguruara nga BE janë të destinuara për projekte në dy fusha, një milion për konkurrencë dhe zhvillim të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, një milion për projekte për zhvillimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Ai theksoi se deri në vitin 2020 për zbatimin e programit për bashkëpunim ndërkufitar me Kosovën në disponim janë gjithsej 8.5 milion euro, me Shqipërinë 12 milion euro, me Greqinë 45 milion euro, me Bullgarinë 19.5 milion euro, si dhe 5 milion euro për Maqedoninë dhe Shqipërinë për Programin transnacional Ballkan-Mesdhe.

“Mbështetja nga Bashkimi Evropian është shumë e rëndësishme për Maqedoninë. Do të përpiqemi ta shfrytëzojmë maksimalisht, për shkak se realizimi i këtyre projekteve synon integrimin social dhe ekonomik të të gjithë qytetarëve në shoqëri, si dhe integrimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, që është prioritet parësorë i kësaj qeverie”, deklaroi Fazliu.
Ndryshe, në thirrjen e parë publike për bashkëpunimin kufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës do të mund të aplikojnë shoqatat civile, komunat, qendrat rajonale planore, universitetet, shkollat, shoqatat e biznesit, si dhe subjektet e tjera jofitimprurëse nga rajonet planore të Pollogut, Shkupit dhe rajonit veri-lindor.

Share Button