Shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Tajlandë

Në mes të një krize politike ushtria tajlandeze ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të mbrojtur ligjin dhe rendin, duke dhënë edhe kompetenca të gjëra për të zbatuar vendimet  e saj, por nuk e ka cilësuar këtë lëvizje si grusht shteti. Gjendja e jashtëzakonshme është vendosur pas një krize të gjatë dhe të vazhdueshme politike, muajt e fundit tensionet mes qeverisë dhe opozitës janë shkallëzuar ndjeshëm.
Një zyrtar i qeverisë tha se ky vendim i ushtrisë nuk ishte konsultuar me qeverinë. Në fillim të këtij muaji një gjykatë urdhëroi Kryeministren Yingluck Shinawatra dhe disa ministra të qeverisë të dorëhiqeshin.
Televizioni i drejtuar nga ushtria njoftoi se ligji ushtarak është imponuar për të rivendosur paqen dhe rendin. Deklarata u nënshkrua nga shefi i ushtrisë Prayuth Chan – Ocha, duke përmendur një ligj të vitit 1914 që e lejon atë të ndërhyjë gjatë kohës së krizës .Ai tha se ky veprim ishte ndërmarrë për shkak se tubimet masive mes rivalëve politikë mund të ndikonin në sigurinë e jetës dhe të pronave publike të vendit.

Share Button