Shkurtimi i kohës së gjyqeve, ku ka vonesa ka korrupsion

Kreu i Prezencës së OSBE Raunig dhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksuan se proceset gjyqësore nuk duhet të vonohen.

“Drejtësia e vonuar është edhe drejtësi e mohuar. Shumë vende vuajnë nga drejtësia e vonuar. Në Shqipëri gjyqet civile zgjasin 280 ditë në shkallët e para dhe se gjysma e gjyqeve janë jo produktive. Efikasiteti i procedimeve është shumë i rëndësishëm”, tha Raunig.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se gjykatat duhet të veprojnë me shpejtësi, pasi ku ka vonesa ka edhe korrupsion.“Nëse shohim sot si gjykatat tona gjykojnë sot, sidomos shkalla e parë duket sikur Franc Kafka është shqiptar. Reforma në drejtësi është nëna e të gjitha reformave dhe që kjo nënë reformë të mos katandiset si nëna e dreqit duhet të ketë gjykata proactive. Gjykata duhet të shërbejë shpejt, ku ka vonesa ka korrupsion”, tha Manjani.

Ambasadori austriak, Johann Sattler, deklaroi se: “Shtrirja e projektit “Për një drejtësi pa vonesa” tashmë synon të rritë besimin e qytetarit te gjyqësori”.

Kjo nismë zbatohet nga Prezenca e OSBE-së dhe Projekti i USAID-it “Drejtësi për të Gjithë”, me financimin e Agjencisë Austriake të Bashkëpunimit për Zhvillim. Nisma u zhvillua nga Prezenca dhe USAID-i pas studimit të kryer prej Prezencës, i cili tregoi se pothuaj gjysma e seancave gjyqësore në Shqipëri janë joproduktive, ku as nuk jepen argumente, as qarkullohen dokumente, as merren prova dhe as paraqiten kërkesa.

Nisma “Për një drejtësi pa vonesa” e pati pikënisjen e saj si një projekt pilot në Gjykatën e Krujës në shkurt të vitit 2014 dhe pak më vonë u përqafua edhe nga Gjykatat e Korçës, Pukës dhe Tropojës. Nisur nga suksesi i projektit në këto katër gjykata nismëtare, si dhe duke pasur mbështetjen e fortë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë, nisma “Për një drejtësi pa vonesa” do të shtrihet me sukses në të 18 gjykatat e rrethit të Shqipërisë në tre vitet në vazhdim.

Share Button