Shkup, konferencë për dialog social dhe marrëveshje kolektive

Në organizim të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Shkup u mbajtë konferenca përfundimtare e projektit “Avancimi i dialogut social”, projekt i cili në dy e gjysmë vitet e kaluara e ka zbatuar Organizata Ndërkombëtare e Punës, ndërsa aktivitetet në vlerë prej rreth 1.3 milion eurosh janë financuar nga BE-ja, raporton Anadolu Agency (AA).

Tre komponentët kryesorë të këtij projekti janë përforcimi i dialogut social në nivel lokal dhe kombëtar, vendosja e infrastrukturës dhe nxitja e marrëveshjeve kolektive, si dhe vendosja e mekanizmit efikas për zgjidhje të qetë të kontesteve të punës.

Drejtor i Organizatës Ndërkombëtare të Punës për Evropën Qendrore dhe Perëndimore, Antonio Graziosi, bëri të ditur se dialogu social luan një rol të rëndësishëm në atë që Qeveria të jetë vazhdimisht në konsultime me partnerët social, siç janë sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve.

“Projekti ishte i vështirë për shkak të situatës së komplikuar politike në vend, pasi që nuk ishte e lehtë gjenerimi i diskutimeve të përhershme konstruktive. Mirëpo, ne ndihemi krenar dhe mund të themi se projekti ka prodhuar rezultate me të vërtetë konkrete në krijimin e mekanizmave për përforcimin e kapaciteteve të partnerëve që të mund të përfshihen në dialogun social”, deklaroi Graziosi.

Kryetar i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov, theksoi se dobësia e të gjitha projekteve të financuara nga BE-ja dhe donatorë tjerë në Maqedoni, është se pas përfundimit të projektit, ndalet edhe zbatimi i aktivitete të të njëjtit. Sipas tij, vendi duhet të gjejë një mënyrë që edhe pas përfundimit të projektit, aktivitetet e tij të vazhdojnë të zbatohen.

“Aktivitetet rreth zgjidhjes paqësore të kontesteve të punës dhe aktivitetet tjera patjetër duhet që vet dhe në mënyrë të pavarur t’i vazhdojmë edhe më tej, pa ndihmën e donatorëve tonë. Prandaj nuk është e mjaftueshme të miratohet një ligj, të ndërtohet një institucion apo të edukohen pajtuesit, nëse ne nuk ndikojmë në ndërgjegjësimin e punëdhënësve dhe të punësuarve se zgjidhja paqësore e kontesteve të punës është shumë më ekonomike, më e shpejtë dhe shumë më reale në krahasim me zgjidhjen e kontesteve në Gjykatë”, deklaroi Dimitrov.

Në konferencën përfundimtare të këtij projekti të morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere të cilat kanë qenë të kyçura në realizimin e projektit, mes të cilave nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë, Biznes Konfederata e Maqedonisë, si dhe të tjerë.

Share Button