Shkatërrohet rrjeti i shpërndarjes së drogës, 27 të arrestuar

Operacioni “Epilog” i Antidrogës së kryeqytetit dhe Prokurorisë së Tiranës i dha fund aktivitetit kriminal të një grupi që shpërndante heroinë dhe kokainë prej dy vitesh.

27 persona u arrestuan pas hetimeve 6-mujore të zhvilluara nga prokurori Enklid Gjini, ndërkohë që pesë të tjerë u shpallën në kërkim.

Ka dyshime të forta se grupi e shpërndante drogën me motorë dhe makina jo luksoze për të mos rënë në sy, ndërkohë që shumica e porosive bëheshin me telefon.

Drejtues i grupit dyshohet se ishte shtetasi Julian Bushati, i cili u prangos në tentativë për t’u larguar drejt Durrësit.

Grupi i hetimit deklaron se xhiroja ditore nga shpërndarja e drogës varionte nga 90 deri në 120 mijë lekë. Ndërsa, për dy vite në Tiranë ky rrjet besohet të ketë shpërndarë kokainë e heroinë me vlerën e gati 900 mijë eurove.

Nga hetimi ka rezultuar se ky grup kriminal ka vepruar në disa zona të Tiranës, si “Shkolla e Bashkuar”, rruga “5 Maji”, “Tirana e Re”, rruga “Fortuzi”, lagjia “Laprakë”, dhe zona e ish-Bllokut.

Share Button