Shitje rekord e fanellave të Neymar me numrin 10

Fanella e re e Neymar-it me numrin 10, i cili u transferua në klubin francez Paris Saint-Germain (PSG), ka thyer rekord të shitjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në lajmin e “France Bleu Paris” thuhet se pas finalizimit të transferit të Neymar-it dje në dy dyqane të klubit PSG në Paris kanë filluar shitjet e fanellave të reja.

Në dyqanin në bulevardin Shanzelize janë formuar radhë të gjata, kurse bëhet e ditur se fanella e re e Neymar-it me numrin 10 në vlerë prej 100 eurosh, është shitur tërësisht për 6 orë.

Në lajm po ashtu thuhet se në dyqanet, edhe në atë Shanzelize edhe në atë në stadiumin “Parc des Princes” për një ditë kanë shkuar 15 mijë tifozë për të blerë fanella dhe se ky është një rekord historik në këtë aspekt.

Shitjet të cilat kanë filluar në orët e mëngjesit kanë përfunduar në mbrëmje me shitjen e të gjitha fanellave, ku brenda kësaj kohe janë shitur 10 mijë fanella. Ndërkaq në shitjet e reja, klubi mori vendim që një person të ketë të drejtën e blerjes së vetëm një fanelle.

Sipas lajmit tifozët me fat të cilët pas 2 orë pritjeje arritën ta blejnë fanellën e PSG, në fund të ditës shtuan 1 milionë euro në arkën e PSG-së.

Share Button