Shitësi i gatimeve në Turqi, fitimin e jep për muslimanët e Arakanit

Shitësi i gatimeve tradicionale turke, i cili siguron ekzistencën për familjen e tij duke shitur simite në rrugët e Koxhaelit, tërë fitimin dyditor e ka dhuruar për muslimanët e Arakanit, të cilët i janë nënshtruar një dhune brutale të ushtrisë së Mianamarit dhe ekstremistëve budistë.
Erkan Ayhan ka 14 vite që mbijetesën e siguron duke shitur në rrugë, ndërkohë siç u shpreh për Anadolu Agency (AA), fitimin dyditor në vlerë prej 147 lira turke (mbi 35 euro) e ka dorëzuar në llogarinë e organizatës humanitare IHH, të hapur enkas për ndihmë të muslimanëve të Arakanit.
Për të shprehur qëndrimin e tij lidhur me situatën në Arakan, ai kishte porositur një fanellë me mbishkrimin: “Botë, je mizore, Arakani derdh lot të përgjakur, ku je ti?”

Bota po vështron heshturazi se çfarë po ndodh në Arakan, prandaj vendosa që të dhuroj aq sa mundem. Jam i vetëdijshëm se fitimi im nga shitja dyditore e simiteve nuk mund të shpëtojë njerëzit në Arakan, por nga këtu i bëj thirrje botës që tu dalë në ndihmë atyre njerëzve”, tha Ayhan, për të shtuar se përderisa ata po festonin Kurban Bajramin në paqe, muslimanët e Arakanit masakroheshin.
Që nga dita kur ka parë incizimet televizive për masakrën në Mianmar, nuk ka bërë gjumë të qetë, rrëfen Ayhan. “Mendoja se çfarë mund të bëj për këta njerëz dhe vendosa të përpiqesha ta përcjellja zërin e tyre, thirrjen e tyre për ndihmë, për çka ua dërgova fitimet e mia”, thotë ai.

Në sulmet të cilat ushtria e Mianmarit i nisi më 25 gusht në rajonin e Arakanit, deri më tani kanë humbur jetën një numër i madh i muslimanëve të Arakanit. Më shumë se 60 fshatra janë djegur si dhe dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të largohen nga rajoni për shkak se nuk kanë siguri për jetën.
Për shkak se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare në rajon numri i të vrarëve nuk mund të përcaktohet saktësisht. Organizatat e shoqërisë civile kanë deklaruar se ka tejkaluar mbi 1.000 numri i civilëve që kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjera kanë pretenduar se kjo shifër është me mijëra.

Share Button