Shfaqen në SHBA imazhet e rralla të riteve shqiptare

Nji “zyrë e gjanave të humbuna”- aty gjenden martesa, fejesa, pagëzime, krezmime; deri te retushi, si dhe imazhe që zakonisht nuk shfaqen, njerëz me plagë a të burgosur.“Ata kjenë thirrë ‘Marubët e zotnijve’, por siç e dimë, nuk fotografuan vetëm zotnijtë.

Në arkivë, përbri fotografive të njerëzve të njoftun e të pasun, gjejmë shumë të tjera të njerëzve të thjeshtë, edhe të varfënve e lypsave që na shfaqin nji këndvështrim tjetër të Marubëve”.Zef Paci, është kurator i ekspozitës “Marubi Life in Images”, që qëndron e hapur nga 17 marsi deri më 17 korrik 2017 pranë “GR Art Gallery”, në Stamford, Connecticut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Martesa e Pal Kokës”, Gegë Marubi, 1943; “Vaporr afër molës e doganës”, Kel Marubi, 1913; “Fëmijë vetëm”, Kel Marubi; “Nga funerali i John M. Gillatt”, Kel Marubi, 1937; “Fratel Sala, punimet”, Gegë Marubi, 1939; “Ilhami Abdullah Shandhizade – grup”, Gegë Marubi, 1931- janë vetëm pesë prej imazheve të rralla që ekspozohen duke përçuar njerëz, vende e kohë të Shkodrës së fillimshekullit të 20-të para një publiku që me gjasë, nuk e njeh atë në kontinentin e largët.

I pyetur nga “GSH” se çfarë ekspozohet, Paci sqaron se janë vendosur disa fotografi historike që kanë të bëjnë me gjendjen e Shkodrës mbas shpalljes së Pavarësisë (më 1914). E ndarë në katër hapësira, në të parën janë “ato që imazhe krijojnë njëfarë narracioni (shkak-pasojë) duke na ofruar të dhënat e veta, ndoshta të përjetuara ndryshe prej asaj çka mund të na japë një libër historie”, shton Zef Paci.

Mandej, në një hapësirë të dytë (salla më e madhe) ekspozohet në dy muret anësore; përkatësisht njëra fasadë, njëfarë cikli i jetës së shoqëruar nga rite të ndryshme njerëzore (lindje, pagëzime, synete, krezmime, fejesa, martesa, vdekje, funerale) e fasada tjetër ka aktivitete njerëzore (tregti, zanate të ndryshme etj.). “Në fasadën ballore, ndërmjet ritualeve e aktiviteteve njerëzore një vazhdë fotografish të Marubëve që ndjekin disi një rend kronologjik na flet për jetën e tyre.

Hapësira e tretë – që është hapësira e ashensorit e prandaj më e pazakontë- është përdorur për fotografinë si diçka magjike e ndonjëherë edhe indiskrete (ekspozohen imazhe ku ndihet trilli i fotografit në lojën me subjektet, kohën e ekspozimit, retushin si dhe të gjërave që zakonisht nuk shfaqen, njerëz me plagë, të burgosur). Hapësira e katërt është një sallë ku janë ekspozuar njerëz dhe peizazhe (people & places)”, sqaron Zef Paci.

img_5277 img_5278

Share Button