Shenja e parë e Alzheimer sipas studimit

Humbja e sensit të drejtimit mund të sinjalizojë për një problem më të rëndë se thjesht humbja: Vështirësia në krijimin e një harte në mendje mund të jetë një nga simptomat e hershme të sëmundjes së alzheimer, sipas një studimi nga Universiteti Uashington në St. Louis.

Gjatë studimit, hulumtuesit shkencorë përdorën një labirint virtual kompjuterik për të testuar aftësitë e navigacionit hapësinor të tri grupeve të pjesëmarrësve: Njerëz të shëndetshëm, persona të rritur që janë në fazën e parë të alzheimer dhe personat të cilët nuk shfaqnin simptoma megjithatë rrezikoheshin nga sëmundja.

Siç pritej, pjesëmarrësit që ishin në fazat e para të sëmundjes së alzheimer performuan më dobët në testet e navigacionit hapësinor krahasuar me grupin e shëndoshë. E njëjta gjë ndodhi edhe me personat të cilët nuk shfaqnin simptoma, megjithatë rrezikoheshin nga sëmundja.

“Aftësitë e navigacionit hapësinor, sidomos aftësia për të krijuar një hartë të mjedisit në mendje, lidhen me një strukturë në tru e quajtur hipokampus”, thotë autorja kryesore e studimit, Denise Head, PhD.

Këto mund të ndodhin një dekadë ose më shumë para se të shfaqet sëmundja. Shenja të tjera të vështirësisë së navigimit janë humbja kur je duke udhëtuar ose rikthimi nga një vend i ri, ashtu si problemet me përdorimin e hartës në zona jo-familjare.

Por, mos u frikësoni nëse humbisni sa herë kaloni në një rrugë të re. Ky studim nuk do të thotë se çdokush me këto sfida do të preket nga alzheimer. Duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore për të monitoruar njerëzit me kalimin e viteve dhe për të përcaktuar përse njerëzit me këto vështirësi janë më të rrezikuar nga alzheimer.

Share Button