SHBA: Sanksionet kundër Rusisë po japin rezultat

Shtetet e Bashkuara thonë se sanksionet perëndimore kundër Moskës për ndërhyrjen në Ukrainë po japin ndikim të dukshëm mbi ekonominë ruse.

Por disa anëtarë të Kongresit shprehën dje skepticizëm dhe i bënë thirrje administratës Obama të vendosë sanksione më të rënda, veçanërisht nëse Rusia minon zgjedhjet e 25 majit në Ukrainë.

Diplomtja amerikane, Victoria Nuland tha në një seancë dëgjimore në Kongres se sanksionet që kanë vendosur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kundër Rusisë janë bërë barrë e konsiderueshme mbi ekonominë ruse dhe kanë sjellë rënien e bursës dhe vlerës së valutës.

Shefi i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Cështje të Jashtme Ed Royce pohoi se sanksionet po japin ndikim, por tha se Presidenti Putin duket se e ka marrë parasysh këtë çmim.

Ai bëri thirrje për sanksione të reja, më të rënda, veçanërisht nëse Rusia pengon zgjedhjet presidenciale në Ukrainë.

Por edhe pse Presidenti Putin më herët tha se trupat ruse të mbledhura pranë kufirit me Ukrainën ishin tërhequr, Nuland theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë zbuluar fakte që e vërtetojnë këtë deklaratë.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara po punojnë me aleatët evropianë për mundësinë e sanksioneve të përqëndruara tek sektorë specifikë të ekonomisë, përfshirë energjetikën.

Ministrat e Jashtëm evropianë pritet t’i diskutojnë sanksionet e reja të hënën në Bruksel.

Por disa udhëheqës evropianë nuk janë treguar shumë të gatshëm të ndëshkojnë Moskën, pasi vendet evropiane kanë shkëmbime shumë më intensive tregtare me Rusinë se sa Shtetet e Bashkuara.

Share Button