SHBA: Sanksione ndaj Moskës nëse shkelet marrëveshja

Administrata Obama po paralajmëron Rusinë se mund të ndeshet me sanksione të reja nëse nuk respekton marrëveshjen ndërkombëtare për Ukrainën, ose nëse sjell forca pranë kufirit me Ukrainën lindore.

Këshilltarja e Presidentit Barack Obama, Susan Rice është shprehur se Shtetet e Bashkuara e kanë thënë qartë se Uashingtoni dhe partnerët evropianë mbeten të përgatitur për të vendosur sanksione shtesë kundër Moskës nëse ajo nuk përmbush detyrimet e saj.

Ajo tha se në rast të një shkallëzimi dramatik, këto kosto dhe sanksionet e reja mund të përfshijnë vënien në shenjestër të sektorëve shumë të rëndësishëm të ekonomisë ruse.

Rice ritheksoi komentet e mëparshme të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit Jen Psaki se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia ka përgjegjësinë të përdorë influencën e saj për të frenuar dhe tërhequr ekstremistët pro-rusë që kanë zaptuar ndërtesa në Ukrainën lindore.

Share Button