SHBA mbështet operacionet e Ukrainës kundër seperatistëve

Administrata e presidentit Obama ka sugjeruar se operacionet e Ukrainës kundër separatistëve pro–rusë janë të justifikuara.

Pa shprehur hapur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për vendimin e qeverisë ukrainase për të dërguar tanke dhe trupa, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë zotimin e Ukrainës se ajo do të veprojë me përgjegjësi dhe gradualisht kundër separatistëve,  të cilët kanë pushtuar ndërtesat qeveritare dhe objekte të tjera.
Qeveria e Ukrainës tha se ka dërguar forcat anti – terroriste për të rimarrë ndërtesat qeveritare që ditët e fundit janë pushtuar nga milicitë e armatosura pro-ruse.

Zëdhënësi Carney përsëriti paralajmërimet amerikane ndaj Rusisë për tërheqjen e trupave të saj nga kufiri i saj me Ukrainën dhe të angazhohet në dialog me qeverinë e Ukrainës.

Zyrtari amerikan tha se Obama po konsideron zgjerimin e sanksioneve, veçanërisht nëse Rusia vendos të dërgojë trupa në Ukrainë.

Me tej ai tha se administrata e Shteteve të Bashkuara në këtë kohë nuk po konsideron dërgimin e ndihmës ushtarake në Ukrainë.

Carney theksoi se fokusi mbetet në përpjekjet diplomatike për të ndalur Rusinë nga mbështetja për lëvizjet separatiste në Ukrainë.

 

 

Share Button