SHBA kryeson listën e vendeve konkuruese

Shtetet e Bashkuara kryesojnë listën e vendeve më konkurrente në botë, pas analizës së 60 shteteve nga shkolla prestigjioze e biznesit në Zvicër, IMD. Autorët e raportit thonë se SHBA-të meritojnë vendin e parë, falë ekonomisë dinamike, përmirësimit të shifrave të punësimit dhe dominimit, që kanë në teknologji dhe infrastrukturë. Pas SHBA-ve renditen ekonomi më të vogla, si Zvicra, Singapori dhe Hong Kongu. Këto tri vende kanë ekonomi që përfitojnë nga; eksportet, biznesi eficent dhe risitë. Mbështetur mbi analizën, Europa është më mirë se vjet, falë përmirësimit gradual, ndërsa pjesa më e madhe e tregjeve në zhvillim kanë rënë në renditje.Sipas raportit, vendet e grupit BRIC – Brazili, Rusia, India dhe Kina – kanë rënë në garën e konkurrencës, pas uljes së ritmit ekonomik dhe investimeve të huaja, ndërkohë që vazhdojnë të vuajnë nga problemet e infrastrukturës së dobët.
Rusia është ngritur katër vende, krahasuar me vitin e kaluar, dhe aktualisht renditet në të 38-in, ndërsa Ukraina mbetet në të 49-in. Kina, që pritej t’i zinte vendin Shteteve të Bashkuara, si superfuqia ekonomike e botës, ka zbritur dy vende në renditje, që prej vitit të kaluar dhe, në indeksin e konkurrencës, renditet e 23-ta. Renditja që bën shkolla IMD mbështetet mbi katër faktorë; mbarëvajtja ekonomike, efiçencë qeverisëse, efiçencë në biznese dhe gjendjen e infrastrukturës.
Raporti shpjegon se nuk ekziston një lidhje mes demokracisë dhe konkurrencës, megjithatë shanset për qeverisje më të mira janë më të mëdha në një sistem demokratik. Por, raporti nënvizon se Singapori dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dy qeveri autoritare, renditen në 10 vendet më konkurrente. Në listë mungojnë vendet në zhvillim dhe i vetmi shtet afrikan në të është Afrika e Jugut, që renditet e 52-ta.

Share Button