SHBA: Kina, destabilizuese në rajon

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kinën se me lëvizjet e saj agresive po luan një rol destabilizues dhe po kërcënon progresin afatgjatë të të gjithë rajonit të Detit të Kinës Jugore. Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të heshtin përballë injorimit të të drejtës ndërkombëtare nga vende të caktuara. Hagel iu referua vendimit të njëanshëm të Kinës për të vendosur nën ekskluzivitetin e vet një zonë të kontestuar në Detin e Kinës Jugore.”Muajt e fundit Kina ka ndërmarrë disa aksione të njëanshme destabilizuese duke pretenduar territoret në Detin e Kinës Jugore. Ne dënojmë përdorimin e forcës dhe kërcënimeve të cdo vendi për të vendosur njëanshmërisht nën kontrollin e tij zona të kontestuara”, deklaroi Hagel. Kina pretendon të drejtën ekskluzive në Detin e Kinës Jugore duke u përplasur me fqinjët e saj, Japoninë, Filipinet dhe Vietnamin. Javët e fundit rojet bregdetare kineze dhe vietnameze janë përplasur disa herë me njëra-tjetrën. Ndërkohë nga ana tjetër, Sekretari Hagel u kërkoi udhëheqësve ushtarakë në Tajlandë, të cilët morën pushtetin pas trazirave politike disa-mujore që shoqëruan vendin, që të rikthejnë sa më parë demokracinë. Ai kërkoi lirimin e të gjithë të ndaluarve politikë dhe zhvillimin sa më parë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Share Button