SHBA kalon ligjin për përgjimet

Legjislacioni i parë që synon dhënien fund të mbledhjes së të dhënave telefonike nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. I ashtuquajturi Freedom Act parashikon që të dhëna të tilla të mbeten në pjesën dërrmuese në duart e kompanive telefonike. Pavarësisht dyshimeve se projekt/ligji i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë është dobësuar, ai u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve me 303 vota pro përballë 120 kundër dhe tani do të shkojë në Senat. Debatet lidhur me përgjimet telefonike kulmuan kur ish-analisti i NSA-së, Edward Snowden zbuloi praktikën. Ky ligj do t’i japë fund pikërisht praktikës së mbledhjes së të dhënave pothuajse për çdo telefon fiks në Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të kërkuar të dhënat për lidhje me komplotet terroriste jashtë. Kompanive telefonike nuk do t’u kërkohet të mbajnë biseda të regjistruara për më shumë kohë nga sa parashikohet aktualisht, që varion në bazë të kapaciteteve mbajtëse. Nëse NSA-së do t’i duhen të dhëna për shkak se beson se mund të hedhin dritë mbi komplote për sulme terroriste, ajo do të mund të bëjë një kërkesë përmes një urdhëri nga gjykata. Shumë republikanë e demokratë që votuan për masën në fjalë kërkuan masa më të forta dhe mes tyre pati acarime në lidhje me rrëzimin e kërkesës për një gjykatë të pavarur publike për të mbikëqyr NSA-në.

Share Button