SHBA e shqetësuar për situatën në Ukrainë

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë të shqetësura nga përkeqësimi i situatës përreth qytetit strategjik Debaltseve në Ukrainën lindore, pavarësisht armëpushimit të arritur që është ndërmjetësuar nga BE-ja.

Departamenti i Shtetit, përmes një deklarate të lëshuar, i ka bërë thirrje Rusisë dhe separatistëve që menjëherë t’i ndalin të gjitha sulmet dhe të lejojnë angazhimin e misionit të OSBE-së, në mënyrë që të funksionoj armëpushimi.

Pavarësisht armëpushimit, luftimet përreth Debaltseve, qytet i kontrolluar nga qeveria, kanë vazhduar ndërsa Kievi dhe separatistët e akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit.

Ukraina ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se forcat e saj janë qëlluar mbi 122 herë nga separatistët në 24 orët e fundit pavarësisht marrëveshjes e cila ka hyrë në fuqi në orët e para të 15 shkurtit.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin, tha gjatë të hënës se Ukraina po e respekton plotësisht armëpushimin, por ai i ka akuzuar terroristët në Donjeck dhe Luhansk për sulme me artileri, duke përfshirë edhe sulmet me raketat e llojit Grad.

Share Button