SHBA, dënim me burg për personin që kërcënoi xhaminë

Gjykata ka dënuar me një vit burgim shtetasin amerikan George Fisher (57), i cili i kishte dërguar letër një xhamie në shtetin e Minnesotas në SHBA, në të cilën kërcënonte se “do ta hidhte në ajër faltoren”, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi me shkrim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, në vitin 2015 Fisher i kishte dërguar letër xhamisë “Qendra Islame Taëfiq” duke kërcënuar se “faltoren do ta hidhte në ajër së bashku me të gjithë migrantët në të”.

Në njoftim rikujtohet se në seancën gjyqësore më 30 nëntor të vitit 2016 i pandehuri kishte pranuar akuzën, ndërsa thuhet se Fisher është dënuar me një vit burgim dhe tre vite liri në mbikëqyrje.

Në njoftim citohet edhe deklarata e Fisher, i cili ka thënë se është i zemëruar me muslimanët që nga sulmet e 11 shtatorit dhe se “ka dashur t’i frikësojë përmes një letre”.

– “Ky dënim është mesazh i hapur”

Ndihmësprokurori rajonal Tom Wheeler, në deklaratën e tij në lidhje me gjykimin, ka vlerësuar se “Ky dënim është mesazh i hapur për të gjithë që kërcënojnë me dhunë të tjerët për shkak të besimit të tyre fetar”.

Ndërkaq, në tetor të vitit të kaluar në shtetin e Kansasit ishin kapur tre persona të cilët planifikonin të hidhnin në ajër një xhami dhe një ndërtesë në Garden City, ku jeton numër i migrantëve somalezë.

Pas sulmeve terroriste në Paris dhe San Bernardino, thuhet se në SHBA është shtuar retorika islamofobike dhe se është shënuar rritje në incidentet e nxitura nga urrejtja.

Në një raport të publikuar vitin e kaluar nga Këshilli i Marrëdhënieve Amerikane-Islame (CAIR), ishte bërë e ditur se në SHBA janë shtuar sulmet dhe kërcënimet ndaj xhamive dhe qendrave fetare deri në atë nivel sa tejkalojnë numrin e përgjithshëm të sulmeve në vitet e kaluara.

Share Button