SHBA akuzon një shtetas rus për krime elektronike

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj një shtetasi rus që dyshohet se drejton operacionet më të mëdha të kriminalitetit elektronik që prekin individët dhe bizneset në mbarë botën.

Evgeniy Bogachev, i njohur ndryshe me pseudonimet “fatlumi 12345” apo “slavik”, akuzohet se është përfshirë në sulme ndaj më shumë se një milionë kompjutera. Akuzat vijnë teksa autoritetet kanë marrë nën kontroll një botnet të përdorur për vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare. Përdoruesve të kompjuterëve u është bërë thirrje që të kryejnë kontrolle për t’u mbrojtur nga kërcënimet. Në një konferencë për shtyp, Departamenti i Drejtësisë deklaroi se beson se Bogachev për herë të fundit ndodhej në Anapa të Rusisë. Sipas zëdhënësit, bashkëpunimi me autoritetet ruse ka qenë “produktiv”.  Duke e futur personin në fjalë në listën e kriminelëve më të kërkuar, zëdhënësi tha: “Ai njihet si person që pëlqen shëtitjet me varkë dhe mund të udhëtojë shumë nëpër Detin e Zi me varkën e tij”.  Mes akuzave të ngritura nga një gjykatë në Pitsburg përfshihen ato për komplot, përgjim dhe dhunim të të dhënave bankare dhe personale, si dhe pastrim parash.
Edhe Agjencia britanike për Krimin Kombëtar, NCA, paralajmëroi përdoruesit se mund të kenë vetëm dy javë kohë para se krimineli të vërë në punë botnet-in dhe postoi në faqen e saj këshilla se si të mbrohen kompjuterët.

Share Button