SHBA, 23 viktima nga moti i ftohtë

Miliona njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me temperatura të ulëta, të cilat kanë shënuar edhe rekordin e dekadave të fundit. Moti i acartë në SHBA u ka marrë jetën 23 njerëzve. Shumica e viktimave u shënuan ne Tenessi. Zyrtarët e emergjencës pohuan se vdekjet janë shkaktuar nga hipotermia, ose nga aksidentet automobilistike për shkak të ngricave në rrugë. Ndërkohë më shumë se 2.700 njerëz janë pa energji elektrike si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm dhe borës së madhe. I ftohti në të gjithë Amerikën e Veriut ka bërë që edhe ujëvara e Niagarës të ngrijë pjesërisht.
Në vazhdim parashikohen ditë më të ftohta për amerikanët dhe shërbimet e metereologjisë i kanë kërkuar 125 milionë njerëzve kryesisht në pjesën lindore të vendit të marrin masat e duhura për të përballuar acarin.

Share Button