Serbi, rrënohet faltorja e Bashkësisë Islame

Në Fushën e Zemunit në Beograd gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm është rrënuar objekti fetar i Bashkësisë Islame të Serbisë.

Myftia i Sremit dhe kryeimam i Mexhlisit të Zemunit Emin ef. Zejnullah tha se objekti është rrënuar rreth orës tre të mëngjesit në prani të shumë policëve dhe pjesëtarëve të xhandarmërisë, ndërsa energjia elektrike dhe interneti në gjithë zonën ka qenë i shkyçur.

Sipas tij, komuna e Zemunit ka dhënë leje për rrënim ndonëse premtoi se javën e ardhshme do të negociojë për atë si të zgjidhet problemi.

“Unë mbrëmë arrita të vij para objektit, më shtrinë për tokë, ndërsa polici më kërcënoi se do të më ‘rrjep’. Kjo është humbje për shtetin, jo për ne. Ne do të vazhdojmë të jemi muslimanë”, tha imami Zejnullah.

Ai u bëri thirrje muslimanëve në Serbi dhe jashtë saj, pa marrë parasysh situatën, të qëndrojnë të qetë. Zejnullah rikujtoi se Bashkësia Islame ka dorëzuar kërkesë për legalizimin e objektit si dhe pa leje ndërtuan çatinë dhe nënkulmin, por mbrëmë, përveç kësaj, është rrënuar edhe kati i parë i objektit.

Ai shpreson se do të gjendet zgjidhje për këtë problem dhe do t’u sigurohet lokacioni në të cilin mund të ndërtojnë objektin e tyre fetar dhe shtoi se presin nga autoritetet që t’i thërrasin në bisedë.

Zejnullah tha se tani presin reagim nga pushteti, reagim në rajon dhe përfaqësitë diplomatike, nëse do të qëndrojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtave e lirive fetare të garantuara me Kushtetutë

Anadolu Agency

Share Button