Serbët e veriut do të votojnë në zgjedhjet e 8 qershorit

Serbët e veriut të Kosovës do t’i përgjigjen thirrjes së qeverisë serbe që të dalin në zgjedhjet parlamentare më 8 qershor në Kosovë, “për të kontribuuar në betejën për realizimin e interesave nacionale dhe shtetërore të Serbisë”. Kjo deklaratë është bërë në Beograd, pas takimit mes zyrtarëve serbë dhe kryetarëve të katër komunave të veriut të Kosovës.
Sipas mediave serbe, takimi është zhvilluar ndërmjet Kryetarit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq – kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç – atij të Leposaviqit Dragan Jabllanoviç – kreut të Zveçanit,Vuçina Jankoviç dhe kryetarit të Zubin Potokut, Stevan Vulloviç. “Pjesëmarrja në këto zgjedhje është një formë e betejës politike, e përshtatur me rrethanat, kurse mbështetja për përfaqësuesit serbë dhe për Serbinë, është detyrim patriotik i secilit qytetar të Serbisë në rajonin e krahinës”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas takimit. Përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë më herët kërcënuan me bojkotim të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të cilat mbahen të dielën më 8 qershor, duke kundërshtuar simbolet e shtetësisë së Kosovës në fletëvotime dhe ne materialet zgjedhore. “Duke punuar në institucionet e përkohshme qeverisëse dhe me vazhdimin e bisedimeve do t’i largojmë çdo ditë e më shumë separatistët në Prishtinë që të realizojnë synimet e tyre, kurse pozicionin tonë të negociimit do ta fuqizojmë gjithnjë e më shumë”, citohen të kenë thënë pjesëmarrësit në takim.

Share Button