Separatistët pro-rusë sfidojnë marrëveshjen

Separatistët pro-rusë në Donetsk deklarojnë se nuk do të largohen nga ndërtesat qeveritare që kanë pushtuar, duke sfiduar kështu autoritetet e Kievit dhe duke kërcënuar marrëveshjen e re të arritur mbi Ukrainën. Zëdhënësi i separatistëve deklaroi se qeveria e Kievit është “ilegale” dhe si e tillë ata nuk mund të largohen pa u larguar më parë ajo nga pushteti. Rusia, Ukraina, BE dhe Shtetet e Bashkuara arritën një ditë më parë në Gjenevë një marrëveshje, në bazë të të cilës grupet ushtarake ilegale në Ukrainë do të tërhiqeshin. Por, Alexander Gnezdilov, zëdhënës i së vetëshpallurës Republika Popullore e Donetskut, deklaroi se grupi i tij do të evakuojë ndërtesat në qytetin lindor vetëm atë herë kur qeveria ilegale në Kiev të dalë nga Parlamenti dhe administrata presidenciale. Në lindje të Ukrainës vazhdojnë negociatat e vështira, ku separatistët pro-rusë, shumica e të cilëve të armatosur, mbajnë të pushtuara ndërtesat zyrtare në të paktën nëntë qytete. Një tjetër lider i tyre në Donetsk tha se separatistët nuk do të tërhiqen nëse protestuesit pro-evropianë në sheshin Maidan të Kievit nuk largojnë më parë kampet e tyre.

Share Button