Sekuestrohen 47 ton cigare kontrabandë

Autoritetet shqiptare bllokuan një anije të huaj tregtare që lundronte nga Greqia drejt Malit të Zi duke kapur në të një sasi prej 47 tonë cigare kontrabandë në vlerën e 10 milionë dollarëve. Anija “Era 1” me flamur të Tanzanisë dhe ekuipazh ukrainas kishte kërkuar tri ditë më parë leje nga autoritetet për t’u strehuar në portin detar të Vlorës deri në qetësimin e detit. Por mesditën e së premtes ajo ishte larguar pa njoftuar, duke thyer rregullat ndërkombëtare detare që i detyrojnë anijet të njoftojnë dhe kërkojnë leje nga autoriteti detar i portit pritës për cdo lëvizje. Largimi i palajmëruar ka ngritur dyshime mbi ngarkesën në anije dhe ligjshmërinë e saj. Një anije e Rojes tonë Bregdetare e ka shoqëruar anijen “Era 1”, 46 metra e gjatë dhe e gjerë 8 metra, drejt Portit të Durrësit, ku kapitenit dhe anëtarëve të tjerë të ekuipazhit gjatë natës duke u gdhirë e shtunë u janë marrë deklarimet përkatëse, ndërsa njëkohësisht ka nisur të kryhet edhe kontrolli fizik i ngarkesës, në përfundim të të cilit u konstatua se sasia prej 47 tonë cigare po udhëtonin pa dokumentacionin përkatës. Menjëherë më pas, drejtoresha e Doganave Shqiptare Elisa Spiropali e ka cilësuar këtë aksion si një sukses duke u shprehur se tani ka një luftë të pakompromistë më veprimet e paligjshme dhe se dogana nuk mund të blihet më me para. “Dogana është përdorur shpesh për të shitur interesat e Shqipërisë me shumë pak para, por në këtë rast, edhe me kaq shumë, me 47 ton cigare, që përkthehen në një vlerë rreth 10 milion dollarë në tërësi, nuk u ble dogana shqiptare. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me cdo mjet dhe formë në mënyrë të pakompromistë me trafikantë, kontrabandistë dhe me njerëz të lidhur shpesh me fije pushteti. Jemi të vendosur të presim cdo fije korrupsioni dhe të luftojmë cdo trafik e kontrabandë”, deklaroi Drejtorja e Doganave, Elisa Spiropali.  Të njëjtin qendrim përsëriti të shtunën edhe kryeministri Rama që përmes një postimi në Facebook deklaroi se “kur kapen 48 ton cigare kontrabandë do të thotë që dogana nuk blihet dot me para si vjet”.

Share Button