Çfarë duhet të bëni në fund të Ramazanit?

Përpara se të mbyllet Ramazani, duhet të gëzoni patjetër një të varfër që nuk ka mundësi të festojë Bajramin, përmes dhënies së sadakasë së fitrit.

Kuptimi i fjalës fitr është hapje e agjërimit. Ndërsa Sadakaja e Fitrit është sadakaja që jepet si falënderim për mundësinë që Allahu i ka dhënë myslimanit për vlerësimin dhe përjetimin e Ramazanit dhe për përfitimin nga bereqeti dhe mirësitë e tij.

Përfitimet që sjell Sadakaja e Fitrit

Profeti Muhamed a.s. e bëri detyrim Sadakanë e Fitrit për të pastruar agjëruesin nga papastërtitë e fjalëve dhe veprimeve të pavlera, duke e bërë atë ushqim për të varfrit. Përfitimet e Sadakasë së Fitrit mund t’i ndajmë në dy këndvështrime të ndryshme, personale dhe shoqërore.

Njeriu që agjëron për shkak të natyrës së tij njerëzore mund të bjerë në gabime, të cilat përbëjnë mangësi në procesin e agjërimit dhe në këtë këndvështrim Sadakaja e Fitrit është një praktikë që e çon në përsosmëri agjërimin.

Ndërsa nga këndvështrimi shoqëror Sadakaja e Fitrit, veçanërisht në ditët e Bajramit, shërben për pasurimin e sofrave të të varfërve. Me anë të saj mundësohet afrimi i të pasurit me të varfrin dhe zbuten sadopak humnerat midis tyre. Ndoshta edhe për këtë shkak masa e Sadakasë së Fitrit është ruajtur në një kufi të vogël dhe ka lehtësi pagese për t’i dhënë mundësinë sa më shumë njerëzve të ndiejnë kënaqësinë që merret kur ndihmon të tjerët.

Për kë është detyrim?

Në lidhje me Sadakanë e Fitrit në disa prej haditheve të transmetuara nga i Dërguari ynë (a.s.) gjenden dhe shtesat i madh – i vogël, i pasur – i varfër dhe sipas gjykimit që jep medh’hebi Hanefi, i cili merr parasysh të gjitha këto transmetime, njëlloj si tek zekati edhe Sadakaja e Fitrit ka një masë. Kusht për dhënien e saj, shumica e dijetarëve myslimanë kanë caktuar që personi të ketë sasi ushqimi për familjen e tij për ditën e bajramit dhe natën e tij.

Çdo person duhet të japë Sadakanë e Fitrit në emër të çdo personi i vogël apo i madh, për të cilin është përgjegjës për të siguruar nevojat e tij.

Sasia dhe masa e kërkuar

Në kohën e Pejgamberit (a.s.) Sadakaja e Fitrit jepej një masë (kriter në madhësinë e 2 176 gr) prej elbi, hurme, rrush të thatë, miell dhe ushqime të ngjashme me grurin. Sadakaja e Fitrit ashtu siç mund të jepet me mallrat e lartpërmendur në masën (2 176 gr) e përcaktuar në hadith, mund të jepet dhe në vlerë monetare të njëvlershme me masën e përcaktuar më lart.

Koha kur jepet

Koha kur është obligim për t’u dhënë, është me perëndimin e ditës së fundit të muajit Ramazan. Sadakaja duhet dhënë para namazit të bajramit, por lejohet që të jepet edhe në ditët e tjera të Ramazanit. Kjo, edhe pse është më mirë që të vonohet deri një ose dy ditë para bajramit.

Kategoritë që e përfitojnë

Shumica e dijetarëve mendojnë se Sadakaja e Fitrit i jepet shtresës së varfër prej myslimanëve. Në origjinë, sadakaja është obliguar për t’ua dhënë fukarenjve dhe të vobektëve, pra nuk u jepet kategorive të tjera të zekatit, përveçse në rast nevoje dhe interesi islam.

Nuk është e lejueshme (e mundur) që personi të japë Sadakanë e Fitrit atyre për të cilët ai është përgjegjës për sigurimin e mjeteve të jetesës së tyre si: nëna, babai, gruaja, fëmijët, nipat, gjyshi, gjyshja dhe fëmijët e nipave, sepse përfitimet e saj (sadakasë) pa të drejtë do t’i kthehen prapë atij. Dijetarët janë të bashkuar në mendimin se ajo duhet t’u jepet të varfërve. Njeriu Sadakanë e Fitrit të vet duhet ta shpërndajë tek nevojtarët duke filluar së pari nga kushërinjtë e afërm dhe pastaj tek kushërinjtë e largët dhe tek komshinjtë të cilët gjenden në lagjen ku ai jeton. Në qoftë se aty nuk ka nevojtarë duhet t’ia japë myslimanëve që jetojnë në vende të tjera.

Ndër personat që mund t’u jepet Sadakaja e Fitrit janë edhe nxënësit apo studentët myslimanë të cilët nuk mund të përballojnë shpenzimet e tyre. Sipas medh’hebit Hanefi një njeri duhet të bashkojë Sadakanë e Fitrit të tij dhe të fëmijëve të tij dhe t’ia japë atë një personi. Në qoftë se kjo sadaka mund t’i jepet disa të varfërve duhet zgjedhur personi më i mirë ndër ta.

Nuk është kusht që personit, të cilit i dhurohet  t’i thuhet se ajo është Sadaka-i Fitri.

Share Button